Serbia do të marrë furnizim me gaz natyror përmes ndërtimit të një linje  interkonjeksioni Maqedoni e Veriut-Greqi. Lajmin e bëri të ditur kryeministri maqedonas, Hristian Mickoski, dhe homologu i tij serb, Milosh Vuçeviq, i cili po qëndron për vizitë në Shkup. Mickoski, në konferencën e përbashkët për shtyp, shpjegoi se pozita gjeografike e Maqedonisë së Veriut është tepër e rëndësishme dhe shprehu përcaktimin e qeverisë së tij që si e tillë të shndërrohet në udhëkryq rrugor, energjetik dhe hekurudhor. “Me kryeministrin Vuçeviq biseduam për lidhjen energjetike mes dy vendeve, duke theksuar veçanërisht rëndësinë e ndërtimit të interkonektorit të gazit që do të lidhë të dyja vendet. Ne tani jemi në fazën e përfundimit të procedurës së tenderit. Financimi është i siguruar”, tha Mickoski.

Kryeministri maqedonas përsëriti se korridori X-të dhe ai i VIII-të janë projekte strategjike. Ndërsa, pa dhënë ndonjë hollësi më shumë, tha se në takim është biseduar edhe për sfidat me të cilat përballet rajoni.
Mickoski paralajmëroi një vit të vështirë për sektorin energjetik, duke theksuar sfidat që vijnë nga rritja e çmimeve të energjisë në tregjet evropiane për shkak të luftës në Ukrainë.
Vuçeviq dhe homologu i tij maqedonas, konfirmuan përcaktimin për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha të ndryshme dhe njoftuan se deri në fund të vitit në qytetin serb, Nish, do të mbahet edhe një mbledhje e përbashkët e dy qeverive.
Gjatë pritjes shtetërore që u organizua nga kryeministri Mickoski, u vërejt mungesa e ministrave shqiptarë./Tema