Kur kanë mbetur edhe 4 vite nga përfundimi i afatit ligjor, Qeveria vendos që të bëjë palë në proces edhe Bashkitë, të cilat do të koordinojnë punën mes qytetarëve dhe Kadastrës. Në një intervistë ekskluzive për Tv Scan, Drejtoresha e Agjencisë së Kadastrës Lorena Goxhobelli, tha se përfshirja e njësive të qeverisjes vendore do të ndihmojë në përshpejtimin e procesit. Deri më tani marrëveshja është firmosur nga 40 për qind e bashkive.
“Bashkitë, si njohëse shumë të mira të institucionit që ato drejtojnë. Janë në gjendje të përcaktojnë zonat të cilat paraqesin një densitet më të lartë të objekteve informale. Janë ato që do udhëhqein, siçe ka thënë edhe kryeministri, procesin e identifikimit të zonave prioritare dhe do shërbejnë si urë lidhëse midis qytetarëve dhe ASHK-së në plotësimin e dosjes së aplikimit për qytetarë, të cilët për një arsye ose një tjetër nuk kanë arritur ta finalizojnë”,-tha drejtoresha e kadastrës
Në takimin prezantues të nismës, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Rama u tha se bashkitë do të vendosin prioritetet dhe ritmin e planit të punës, ç’ka do të thotë se do të përcaktojnë, se cilat zona do të kenë përparësi për të përmbyllur praktikën e legalizimit. Por, po ashtu do të asistojnë qytetarët për plotësimin e dokumentacionit, do të koordinojnë komunikimin midis palëve, si edhe do të vendosin në dispozicion burime financiare dhe njerëzore shtesë në rastet kur do të jetë e nevojshme. Janë më shumë se 230 mijë ndërtesa pa leje në të gjithë vendin, pjesa më e madhe prej tyre në Tiranë, Durrës dhe Shkodër. Drejtoresha e Kadastrës tha se po shihet mundësia e unifikimit të praktikave për pajisjen e qytetarëve me dokumentin e pronësisë.
“Jemi duke punuar në kuadër të unifikimit të praktikave, pra është një shërbim kadastral. Pavarësisht nga cila zyrë trajtohet, të trajtohet në mënyrë të njëjtë. Po punojmë për unfikimin e praktikave, mendojmë se do i japë një hov të ri. Po punojmë gjithashtu edhe në drejtim të përmirësimit të sistemit, i cili ka nevojën e vet për t’u koaluduar. Mendojmë se me lëvizjet e duhura, përfshirë edhe trajnimin e njerëzve, sepse edhe njerëzit kanë nevojë të mësohen me sistemin dhe të jenë më familjarë. Mendojmë se do përmirësohemi dhe do ta kthejmë ASHK-në në një institucion që është eficcent dhe që jep shërbimin kadastral në kohë dhe me përgjegjësi”, tha Goxhobelli.
Angazhimi, sipas Goxhobellit është që procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje të përmbyllet brenda afatit ligjor që është 2028, viti që do të shënjojë edhe vijën e kuqe sa i takon ndërtimeve pa leje. Lidhur me procesin e regjistrimit të tokave me ligjin 7501, drejtoresha e Kadastrës bëri me dije edhe praktikën që duhet të ndiqet nga qytetarët.
“Një qytetar që ka një AMTP aplikon te e-albania nëpërmjet AMTP-së së tij origjinale, certefikatën aktuale dhe certefikatën nga 01.08.1991, apo nëse ka qenë pjesë e ndërmarrjeve bujqësore, bashkë me ndryshimet në 01.10.1992.
Më pas është drejtoria vendore që bën një verifikim të dokumetacionit arkivor të kohës, që është marrë nga njësia e qeverisjes vendore, nga komisionet e ndarjes së tokës së kohës, nga drejtoritë e administrimit dhe mbrojtjes së kohë në këshillat e qarqeve dhe në prefecture”, u shpreh drejtoresha e kadastrës.
Ligji “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë” përcakton qartë se regjistrimi i Akteve të Marrjes së Tokës në Pronësi do të bëhet vetëm nëse përmbushen 3 kritere. Kështu, duhet që përfituesi i AMTP-së të ketë qenë i legjitimuar për të përfituar tokë sipas akteve ligjore e nënligjore për ndarjen e tokës bujqësore ose, edhe nëse nuk ka qenë i legjitimuar, ka përfituar tokën, për të cilën i është hequr pronësia gjatë krijimit të kooperativës apo ndërmarrjes bujqësore. Së dyti, përfituesi i AMTP-së ka marrë tokë në territorin e vetëm një kooperative ose ndërmarrje bujqësore dhe së fundmi toka, për të cilën është lëshuar AMTP-ja, nuk ka qenë “truall”, “vepër e infrastrukturës publike”, “rërë bregdetare”, “plazh”, ose “sipërfaqe ujore”, në kohën e lëshimit të aktit./Scan