Sipas të dhënave të fundit të Barometrit të Ballkanit, shqiptarët mbeten optimistë lidhur me integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, duke besuar fort se ky proces do të ndodhë shumë shpejt. Në Shqipëri, 34% e qytetarëve presin që vendi të jetë pjesë e BE-së deri në vitin 2030, duke u dalluar si më optimistët në rajon. Po ashtu, 25% besojnë se integrimi do të ndodhë deri në vitin  2035, ndërsa vetëm 5% mendojnë se kjo do të ndodhë pas vitit 2040.

Ky optimizëm i qytetarëve shqiptarë  është në kontrast me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, si Serbia, ku 35% e popullsisë mendojnë se vendi nuk do të anëtarësohet  kurrë në  Bashkimin Europian. Kjo shifër tregon një nivel të lartë skepticizmi ndaj integrimit europian. Kësaj qasje i bashkohen edhe 27% e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut të cilët janë shprehur që anëtarësimi në BE është një proces që nuk do të realizohet kurrë.

“Scan Intel” ka analizuar të dhënat në kontekst rajonal për të kuptuar qasjen e vendeve të tjera lidhur me çështjen e integrimit në BE. Qytetarët e Kosovës shpresojnë  për një anëtarësim të shpejtë të shtetit të tyre në Bashkimin Europian . 35% e tyre presin që Kosova të anëtarësohet në BE deri në vitin 2035,  duke patur  shifra të ngjashme me ato të Shqipërisë. Nga ana tjetër, Bosnja Hercegovina dhe Mali i Zi tregojnë një qasje më të moderuar, ku qytetarët janë të ndarë  përsa i përket pritshmërive  të tyre për integrimin në BE, me një përqindje më të lartë  të atyre që shprehen se integrimi do të ndodhë  deri në vitin 2035 ose më vonë.

Nga ana tjetër, 20% e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor presin që integrimi në BE të ndodhë deri në vitin 2030, dhe 23% mendojnë se do të ndodhë deri në 2035. Kjo tregon një optimizëm të qëndrueshëm për integrimin evropian në të gjithë rajonin, edhe pse Serbia përjashtohet në këtë drejtim./Scan