Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu deklaroi sot se, kryebashkiakët kanë 3 instrumente për t’u ardhur në ndihmë komuniteteve të tyre sa i përket emergjencave civile.

Në takimin e mbajtur sot nga Kryeministri Edi Rama me kryetarët e bashkive, ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu, ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor Arbjan Mazniku, për bashkëpunimet në interes të komunitetit për të diskutuar për platformat e dialogut, emergjencat civile dhe ndihmat sociale, Vengu bëri një raport të situatës së zjarreve në periudhën qershor-shtator.

“Kemi pasur më shumë se 1 mijë zjarre dhe ajo që është e rëndësishme të kuptojmë të gjithë është që një zjarr na kushton afërsisht, mesatarisht 50 hektarë tokë e djegur dhe 50 rrënjë ullinj”, tha Vengu.

Vengu u shpreh se, fatmirësisht ky sezon ka qenë pa fatalitete, por, theksoi ai, dëmet mbeten të konsiderueshme tek komunitetet rurale.

Ai u shpjegoi kryebashkiakëve 3 instrumentet që kanë në dispozicion për t’i ardhur në ndihmë komunitetit.

Instrumenti i parë, sipas tij, ka të bëjë me menaxhimin e fondit të kushtëzuar.

“Fondi i kushtëzuar për mbrojtjen civile sivjet ka qenë prej 800 milionë lekësh, afërsisht 8 milionë euro, i shpërndarë në të gjitha njësitë vendore. Kemi kryer një monitorim të mënyrës sesi ky fond i kushtëzuar është shpenzuar”, tha ministri.

Ai nënvizoi se, “ka bashki të vogla që e kanë shpenzuar shumë mirë dhe ka paradoksalisht bashki të mëdha, me resurse financiare të mjaftueshme që nuk e kanë shpenzuar ende dhe do të ftoja të gjithë kryetarët e bashkive që të vijonit, teksa jemi në fund të sezonit të zjarreve, por edhe në fillim të sezonit të përmbytjeve, ku në terren janë të gjithë ekipet tuaja që bëjnë evidencat e dëmeve, të shfrytëzoni këtë moment sepse i gjithë financimi i fondit të kushtëzuar ju jep mundësinë që të vini në ndihmë të qytetarëve për dëmshpërblime.

Vengu iu drejtua kryebashkiakëve se, kanë 60% të këtij fondi në dispozicion për të realizuar dëmshpërblimet dhe është një instrument shumë domethënës që qeveria e ka vendosur në dispozicion.

Vengu theksoi se, instrumenti i dytë ka të bëjë me projektet parandaluese në infrastrukturë, për menaxhimin e fatkeqësive natyrore.

“Vitin e kaluar ishte një fond prej 1.1 miliardë e 570 milionë lekë të reja. Në fakt disbursimi ka ndodhur në dy këste, një pjesë në 2023-in, një pjesë në 2024-ën. Kemi vënë re që i gjithë fondi i alokuar në fakt është kontraktuar nga shumica e bashkive, por mbeten ende 14 projekte me kontrata të palidhura dhe do të ftoja kryetarët e bashkive që të vijonin sa më shpejt me finalizimin e tyre në mënyrë që këto fonde të mos digjen, por të vendosen në eficiencë të plotë”, tha Vengu.

Vengu shtoi se, elementi i tretë ka të bëjë me projektin e digave.

“Edhe këtu kemi 14 projekte fituese. 8 projekte në fazë lidhje kontrate dhe 6 projekte në përfundim procesi prokurimi. Edhe këtu do të doja një vëmendje të shtuar sepse fondi i përbashkët digat dhe projektet infrastrukturore këtë vit ka qenë i konsiderueshëm, afërsisht 1 miliardë e 800 milionë lekë të reja dhe ne do vijojmë sigurisht që të alokojmë një fond identik edhe për vitin 2025”, u shpreh Vengu.

Ai tha se, “risia për këtë vit, pasi në 2 vitet paraardhëse kemi pasur një vështirësi në kalendarizimin e projekteve, evidentimit të tyre, analizës së tyre nga emergjencat civile dhe më pas miratimi dhe financimi dhe do t’i japim mundësinë njësive vendore, këtë muaj do të bëjmë një thirrje për projekte të reja, projekte që mund t’i keni ekzistuese”.

“Unë kam nxitur në fakt gjatë gjithë këtyre muajve kryetarët e bashkive që të na dërgojnë projekte infrastrukture, qoftë për digat, qoftë për masat parandaluese, për kanale, për ura në zona të caktuara me vështirësi aksesi, në mënyrë që brenda këtij muaji të bëjmë thirrjen dhe marrjen e të gjitha projekteve nga ju, t’i analizojmë bashkë me emergjencat civile dhe me stafet tuaja dhe të bëjmë renditjen e cilësisë së projekteve, në mënyrë që brenda tetorit, teksa jemi në proces finalizimi të ligjit të buxhetit 2025, të alokojmë fondin sivjet dhe kjo i jep mundësi që të filloni punën që në dhjetor praktikisht. Ju jep mundësi që të përgatisni në mënyrë sa më efikase sezonin tjetër”, tha Vengu./ata