Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin u takua me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.
Putin mbajti një fjalim në fillim të takimit që zhvilloi me Aliyevin në Pallatin e Kremlinit në margjinat e samitit të liderëve të Komonuelthit të Shteteve të Pavarura (CIS).
Duke kujtuar se edhe në takimin jozyrtar me liderët e CIS mbrëmë u diskutua për marrëdhëniet mes dy vendeve, Putin deklaroi se marrëdhëniet mes Rusisë dhe Azerbajxhanit po zhvillohen pozitivisht.
"Vëllimi i tregtisë mes dy vendeve është 4.3 miliardë dollarë dhe investimet direkte të Rusisë në Azerbajxhan janë më shumë se 4 miliardë dollarë", tha Putin i cili shtoi se ka projekte si në sektorin e energjisë ashtu edhe në zhvillimin e infrastrukturës.
"Projektet janë të gjitha premtuese, të gjitha projekte reale, të gjalla; dypalëshe dhe shumëpalëshe", theksoi Putin.
Presidenti i Azerbajxhanit, Aliyev tha se dinamikat e marrëdhënieve dypalëshe tërhoqën shumë vëmendje pas vizitës së Putinit në Azerbajxhan. Ai theksoi se janë mbajtur shumë kontakte në nivel të përfaqësuesve të institucioneve të ndryshme dhe anëtarëve të qeverisë në kuadër të zbatimit të vendimeve të marrë në Baku në gusht.
"Veçanërisht, projektet e reja që ne hartuam në Baku në gusht, sigurisht që kërkojnë vëmendjen dhe kontrollin tonë të vazhdueshëm. Prandaj, sot është një mundësi e mirë për të rishikuar edhe një herë axhendën dhe për të caktuar hapat specifikë për zbatimin e marrëveshjeve që ne kemi arritur", tha Aliyev./aa