Festivali i 12-të i Filmit Boğaziçi (Bosfor) në Istanbul të Türkiyes, i organizuar nga Fondacioni i Kulturës dhe Arteve Boğaziçi, partner i komunikimit global i të cilit është Agjencia Anadolu, do të nisë më 18 tetor me shfaqjen e filmit “Gjëra të vogla si këto” (Small Things Like These).

Festivali këtë vit do mundësojë që të dëgjohen zërat e vendeve të neglizhuara nga bota, me një përzgjedhje të shfaqjeve speciale jashtë garës.

Filmi i parë i programit, i cili do të përfshijë filma të shumtë të rinj që janë pritur me padurim nga filmdashësit, që janë shfaqur në festivale prestigjioze dhe kanë marrë çmime, është “Small Things Like These” nga Tim Mielants, i cili u nominua për “Ariun e Artë” në Festivalin e Filmit në Berlin, dhe në të cilin aktorja Emily Watson fitoi çmimin “Aktorja më e mirë dytësore”.

 

- Shfaqje speciale jashtë garës

Përzgjedhja e Shfaqjeve Speciale Jashtë Garës në programin e edicionit të 12-të të Festivalit të Filmit Boğaziçi përbëhet kryesisht nga filma që u japin zë rajoneve që bota preferon t’i anashkalojë, veçanërisht Palestina. Në përzgjedhje, e cila përfshin gjithsej pesë filma vendas dhe të huaj, përfshihet edhe filmi më i fundit nga Andre Techine, një prej regjisorëve të famshëm francezë.

Filma të tjerë në përzgjedhje përfshijnë filmin e parë artistik të shkrimtarit dhe regjisorit egjiptiano-austriak Abu Bakr Shawky, “Dita e Gjykimit”; “Lamtumirë Taberije” nga regjisorja Lina Soualem, i cili fitoi çmime nga shumë festivale, duke përfshirë çmimin “Dokumentari më i Mirë” në Festivalin e Filmit në Londër; dokumentari “Dëshmia” nga Atakan Kerküklü; “E pavdekshme është vetëm dashuria”, i cili flet për jetën private dhe karrierën kinematografike të Tunç Başaran, regjisorit të paharrueshëm të filmave me temë dashurie; si dhe produksioni “Miqtë e mi të rinj” nga regjisori Andre Techine.

Informacione të hollësishme për programin e festivalit, të mbështetur nga Drejtoria e Përgjithshme e Kinemasë në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit të Türkiyes, mund të gjeni në faqen “www.bogazicifilmfestivali.com”./aa