Policia e Tiranës vijon me arrestimet pas protestës që u mbajt më 7 tetor nga opozita. 49-vjeçari, Sokol Bushkolaj është arrestuar për veprat penale “Goditjet për shkak të detyrës”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”. Gjithashtu edhe 47-vjeçari, Gentian Tuga është ndaluar nga policia për veprat penale “Goditjet për shkak të detyrës” dhe “Shkatërrimi i pronës”.

Pesë persona të tjerë mes tyre një i mitur janë procedur penalisht për veprat penale “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”.

Një ditë pas protestës u arrestua një person, u proceduan tre zyrtarë të PD-së dhe u shpallën në kërkim 9 të tjerë.10 punonjës policie mbetën të dëmtuar, nga të cilët 7 pas ndihmës mjekësore u larguan në banesë, ndërsa 3 të tjerët po trajtohen në spital. Gjithashtu, në spital kanë shkuar për ndihmë mjekësore dhe 2 qytetarë (babë e bijë).

Njoftimi i Policisë: 

Tiranë

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, në lidhje me aktet e dhunshme të ushtruara gjatë protestës së zhvilluar më datë 07.10.2024, ndaloi shtetasit:

– S. B., 49 vjeç, banues në Krujë, për veprat penale “Goditjet për shkak të detyrës”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, parashikuar nga nenet 237, 282 dhe 323 të Kodit Penal;

– G. T., 47 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Goditjet për shkak të detyrës” dhe “Shkatërrimi i pronës”, parashikuar nga nenet 237 dhe 150 të Kodit Penal.

Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit H. B., 68 vjeç, I. T., 49 vjeç, K. K., 43 vjeç, M. T., 24 vjeç, dhe një shtetas të mitur 17 vjeç, për veprat penale “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, parashikuar nga nenet 274 dhe 236 të Kodit Penal.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë.

Çfarë ndodhi në tubimin e 7 tetorit? 

Protesta kombëtare e thirrur nga opozita zgjati 2 ore e 30 minuta, ndërsa u shoqërua me tensione dhe kaos. Tubimi ka nisur para Kryeministrisë, ku qytetarët kanë hedhur disa herë molotov drejt godinës dhe fishekzjarre. Gjithashtu ka pasur një përplasje edhe mes efektivëve dhe deputetëve të opozitës, pasi këta të fundit tentuan të çajnë kordonin policor.  Pas kryeministrisë, protestuesit dhe përfaqësuesit e opozitës i janë drejtuar selisë së Partisë Socialiste, ku po ashtu është hedhur molotov. Në një moment ka marrë flakë dhe hyrja e selisë, ndërsa është djegur dhe banderola me foton e Ramës, në hyrje të godinës. Po ashtu nuk kanë munguar edhe përplasjet me efektivët.

Situata më e tensionuar u paraqit në rrugicën ku ndodhet bashkia e Tiranës dhe ministria e Brendshme, ku dhe është hedhur sasia e madhe e molotovit. Policia iu është kundërpërgjigjur qytetarëve me sasi të madhe gazi lotjsellës dhe spraji neutralizues. Si pasojë mbetën të lënduar qytetarë, mes tyre dhe një fëmijë i mitur.  Ndërkohë policia bëri me dije se 10 efektivë po ashtu janë lënduar. Destinacioni tjetër i protestuesve ishte Kuvendi, ku kësaj here protestuesit nuk janë lejuar të afrohen fare pranë perimetrit të parlamentit për shkak të një sasie të madhe të hedhur nga efektivët e policisë. Burgosja e ish-ligjvënësit demokrat ishte dhe një nga motivet kryesore për thirrjen e një proteste kombëtare nga Partia Demokratike./Dita