Aleanca Veriatlantike NATO ka mirëpritur pajtueshmërinë e Kosovës dhe Serbisë mbi Aneksin e zbatimit të planit evropian që u arrit në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

 

Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu, nëpërmjet rrjeteve sociale i ka inkurajuar Kosovën dhe Serbinë ta zbatojnë atë për të cilën janë pajtuar.

 

“Ne e mirëpresim marrëveshjen nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, në rrugën për t’i normalizuar marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës. Ne i inkurajojmë palët që t’i implementojnë ato për çka kanë rënë dakord. Ne jemi të përkushtuar për stabilitet në rajon”, ka thënë Lungescu.

 

Kosova dhe Serbia të shtunën në mbrëmje janë pajtuar mbi aneksin e zbatimit të planit evropian, i cili do të jetë obligativ për të dyja palët nga momenti i publikimit të tij, siç tha përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell në një deklaratë për media.

 

Takimi midis kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq me ndërmjetësimin e BE-së në Ohër zgjati disa orë, ndërsa pas këtij takimi, kryeministri Kurti tha se kanë arritur pajtim publik me Serbinë për zbatimin e aneksit të marrëveshjes së propozuar nga BE, mirëpo, shtoi se “Serbia sërish nuk e ka nënshkruar të njëjtin”.

 

Sipas kryeministrit Kurti, i takon BE-së tani që të gjejë mekanizma për të detyruar Serbinë të firmosë ujdinë.

/AA