Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noël Barrot e cilësoi si "provokim" kërcënimin e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu ndaj popullit libanez me sulmet që kanë përjetuar palestinezët në Gaza.

I ftuar në kanalin "France 2", Barrot foli për zhvillimet e fundit lidhur me sulmet e Izraelit ndaj Libanit.

Pas kërcënimit nga Netanyahu ndaj popullit të Libanit me ngjarjet e shënuara në Gaza, Barrot deklaroi se "Nëse ky provokim realizohet, kjo e tërheq në kaos Libanin i cili është mik i Francës dhe i cili aktualisht ndodhet në një situatë të brishtë".

"Nëse ndodh një situatë e tillë, Izraeli do të përballet shumë më tepër me problemet e sigurisë që ekzistonin para sulmeve në Liban", tha Barrot duke shtuar se situata në Liban është e tmerrshme.

Netanyahu në video-mesazhin e tij që publikoi në anglisht, iu drejtua popullit libanez dhe bëri pretendime lidhur me situatën aktuale.

Duke e kërcënuar popullin libanez me shkatërrimet dhe dhimbjen që kanë përjetuar palestinezët në Gaza, Netanyahu tha: "Keni mundësinë ta shpëtoni Libanin pa rënë në greminën e një lufte të gjatë që do të shkaktojë shkatërrim dhe dhimbje ashtu siç e keni parë në Gaza. Nuk duhet të jetë ashtu".

- Në sulmet e Izraelit në Liban janë vrarë mbi 2 mijë persona

Ushtria izraelite, e cila që nga 8 tetori 2023 ka vazhduar konfliktin e kontrolluar me Hezbollahun, më 23 shtator kreu qindra sulme ajrore në qytetet jugore të Libanit si dhe në rajonet Beqaa dhe Baalbek.

Sipas të dhënave të Ministrisë libaneze të Shëndetësisë, gjithsej 2.119 persona, përfshirë 104 fëmijë dhe 194 gra, janë vrarë që nga 8 tetori 2023.

Lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, u vra në sulmet ajrore të ushtrisë izraelite në Bejrut më 27 shtator.

Ndërsa, Hezbollahu i përgjigjet me predha dhe raketa Izraelit. Në këto sulme, të cilat kryesisht kishin në shënjestër bazat e ushtrisë në anën izraelite, nuk janë raportuar dëme të mëdha.

Për shkak të bombardimeve izraelite brenda vendit janë zhvendosur qindra mijëra njerëz.

Teksa vala e migrimit vazhdon nga pjesët jugore të vendit drejt kryeqytetit Bejrut dhe veriut, dhjetëra mijëra persona kanë migruar në Siri./aa