Ditën e nesërme Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan do të vizitojë Tiranën për të marrë pjesë në inaugurimin e xhamisë së Namazgjasë.

Në këtë kontekst, policia e shtetit ka njoftuar planin e masave që do të ndërmerren për sigurinë e kreut të shtetit turk.

Policia njoftoi se do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, si dhe bllokime të pjesshme të disa segmenteve të tjera, në varësi të takimeve dhe aktiviteteve që do të zhvillohen gjatë vizitës, në Tiranë.

Drejtuesit e automjeteve të shfrytëzojnë autostradën e re Kashar – Rinas, për të qarkulluar në drejtim të aeroportit të Rinasit, pasi aksi i vjetër Kashar – Rinas nga ora 10:00 deri në 11:30, si dhe nga ora 17:00, deri në orën 18:00, të datës, 10.10.2024, do të jetë i bllokuar./BalkanWeb