Shkrimtari dhe redaktori francez, Patrick Pasin, i cili ngriti një padi kundër ish-sekretarit të NATO-s, Jens Stoltenberg, me arsyetimin se ai nxiti luftën në Ukrainë, tha se bisedimet e muajit mars të vitit 2022, të ndërmjetësuara nga Türkiye, ishin mundësia e fundit për paqe.
Më 27 shtator, Pasin ngriti një padi në Gjykatën e Brukselit kundër Stoltenberg-ut, i cili më 1 tetor dorëzoi postin e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s që e mbajti për dhjetë vite.
Pasin, autor i librit “Lufta në Ukrainë: Përgjegjësia penale e Perëndimit - opsionet tona për ndalimin e krizës”, akuzoi ish-shefin e NATO-s për minimin e përpjekjeve diplomatike që synonin parandalimin e luftës, duke rrezikuar sigurinë e vendeve të NATO-s, përfshirë Belgjikën, duke kryer krime kundër paqes, si dhe duke dëmtuar jetën dhe shëndetin e një grupi më të madh njerëzish.
Duke folur me gazetarin e Anadolu-t, Pasin tha se qëllimi kryesor i padisë është të dëshmojë se Stoltenberg, megjithëse kishte fuqinë për të parandaluar luftën në Ukrainë, ai nuk e bëri këtë dhe shkeli Kartën e OKB-së, Kartën e NATO-s dhe politikën e ndershmërisë, një nga elementet bazë të NATO-s, si dhe kontribuoi në akte armiqësore sipas Kodit Penal të Belgjikës.
“Doja ta paraqesë padinë para se të largohej nga detyra, doja ta shihte. Ne po shohim pasojat e luftës. Inflacion, varfëri, rritje të borxheve. Ne nuk mund të pranojmë shkatërrimin e jetës sonë dhe të fëmijëve tanë në një shkallë të gjerë në kontinent. Tashmë ka pasur dy luftëra botërore në Evropë. Prandaj, synimi kryesor është paqja, por ne shohim se tani për tani nuk ka zgjidhje. Gjithnjë e më shumë ukrainas po vriten. Vriten edhe rusët. Ushtarët rusë gjithashtu vriten. Edhe sa kohë do të zgjasë kjo... (Stoltenberg) nxiti luftën në Ukrainë në vend që ta parandalonte atë”, tha Pasin.
Më tej, Pasin foli edhe mbi negociatat e paraluftës midis Rusisë, SHBA-së dhe NATO-s, përkatësisht për propozimet e paraqitura nga Rusia për SHBA-në dhe NATO-n në fund të vitit 2021, të cilat përfshinin angazhimet e sigurisë së aleancës për të braktisur zgjerimin lindor dhe për të përfshirë vendet e ish-Bashkimit Sovjetik në NATO. Ai kujtoi se negociatat e zhvilluara deri në mesin e janarit 2022 nuk dhanë asnjë rezultat.
Pasin gjithashtu tha se Stoltenberg në një deklaratë për ‘Der Spiegel’ pretendoi se NATO nuk i kishte dhënë kurrë garanci Rusisë për çështjen e përfshirë në propozime dhe se kjo ishte “gënjeshtër”.
Ai theksoi se më 9 shkurt të vitit 1990 SHBA-ja i premtoi Rusisë se NATO-ja nuk do të zgjerohej në lindje nga Gjermania Lindore dhe se i njëjti premtim ishte bërë nga sekretari i atëhershëm i NATO-s, Manfred Worner, në fjalimin e tij në Bruksel më 17 maj të vitit 1990. Sipas shkrimtarit francez, Stoltenberg ka shkelur parimin e ndershmërisë.
Ai gjithashtu pretendoi se në kuadër të premtimit të bërë në vitin 1990, Stoltenberg kishte mundësinë të reduktojë tensionet deri më 24 shkurt, kur filloi lufta, por ai zgjodhi të mos e bënte këtë.
“Kishim nevojë për një vend neutral dhe Türkiye ishte më e mira për këtë”
Pasin foli edhe për negociatat mes Rusisë dhe Ukrainës në Istanbul, të mbajtura në mars të vitit 2022.
“Të dyja palët ishin afër nënshkrimit të një marrëveshjeje paqeje. Si gjithë të tjerët, unë isha i lumtur që Türkiye luajti këtë rol paqësor, i cili ishte shumë i rëndësishëm”, theksoi ai.
Ai më tej tha se Bjellorusia nuk do të jetë një aktor i vërtetë për bisedimet e paqes.
“Ne kishim nevojë për një vend neutral dhe Türkiye ishte me të vërtetë më e mira për këtë, sepse ne e dimë se Türkoye ka marrëveshje si me Ukrainën, të cilën e furnizon me dronë, ashtu edhe me Rusinë. Dhe, sepse presidenti juaj (Recep Tayyip Erdoğan) dhe (presidenti Vladimir) Putin, ata kanë një marrëdhënie të ngushtë”, tha Pasin.
Ai përmendi edhe ish-kryeministrin e atëhershëm britanik, Boris Johnson, i cili në atë kohë shkoi në Kiev. Sipas shkrimtarit francez, Johnson atëherë tha “jo, ju nuk do ta nënshkruani atë”.
“Ishte hera e fundit që flitej për paqe. Askush nuk flet më për paqen. Duket si një fjalë e harruar. Por, në atë kohë, kur pashë se negociatat në Türkiye kishin dështuar, shkrova librin ‘Lufta në Ukrainë: Përgjegjësia penale e perëndimit - opsionet tona për ndalimin e krizës’ “, u shpreh ai./aa