Derisa uragani Milton po afrohet në Bregun e Gjirit në Sarasota të shtetit Florida, banorët amerikanë po përgatiten për mot të ashpër dhe evakuime të mundshme.

Stuhia që intensifikohet me shpejtësi pritet të sjellë reshje të dendura të shiut, erëra të fuqishme dhe përmbytje në këtë zonë. Kontet në Sarasota aktualisht janë në rrugën e uraganit Milton.

Uragani Milton aktualisht është jashtëzakonisht i fuqishëm dhe i kategorisë 4 derisa përgatitet të dalë në breg sonte vonë ose nesër herët. Ai pritet të mbetet një uragan, pasi përshkon Floridën qendrore dhe veriore përpara se të hyjë në Oqeanin Atlantik.

Më herët, presidenti amerikan, Joe Biden, paralajmëroi se uragani Milton duket se do të jetë “stuhia e shekullit” që shkon drejt Floridës.

Biden u bëri thirrje të gjithëve që do të preken nga uragani Milton që të ndjekin çdo urdhër evakuimi që është lëshuar, sepse është “çështje jetë a vdekje”.

Ai gjithashtu e cilësoi dezinformimin e përhapur në internet për stuhinë si "të pamatur, të papërgjegjshëm dhe të pamëshirshëm".

"Janë bërë pohime se prona po konfiskohet. Kjo thjesht nuk është e vërtetë. Ata thonë se njerëzit e prekur nga këto stuhi do të marrin 750 dollarë para në dorë dhe jo më shumë. Kjo thjesht nuk është e vërtetë. Ata thonë se paratë e nevojshme për këtë krizë janë duke u devijuar te emigrantët... qesharake është të thuash, tani pretendimet po bëhen edhe më të çuditshme”, tha Biden.

Presidenti amerikan i referohej deklaratave të deputetes republikane, Marjorie Taylor-Greene, e cila në rrjetin social X tha se stuhia ishte prodhuar artificialisht, duke pretenduar se "ndryshimi i klimës është COVID-i i ri".

Paralajmërimet e shumta për tornado janë vënë tashmë në fuqi dhe erërat e stuhisë tropikale me shpejtësi midis 63 deri në 120 kilometër në orë tashmë po ndodhin në det të hapur disa orë para se uragani të arrijë tokën.

Parashikuesit kanë paralajmëruar se zona e saktë ku uragani Milton do të dalë në breg është e vështirë të parashikohet, por shembulli aktual duket se do të dalë në jug të Gjirit Tampa pranë qytetit Sarasota përpara se të kalojë gadishullin e Floridës, ndërkohë paralajmërimet për valën e stuhisë janë në fuqi për pothuajse të gjithë bregun perëndimor të Floridës./aa