Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu vizitoi sot shtëpinë e foshnjës “Hanna dhe Rozafa”, vogëlushja 3-vjeçare Hana është birësuar dhe tashmë jeton e rrethuar na dashuria e familjes së saj.
Gjatë vizitës në shtëpinë e foshnjës, Koçiu u takua me vogëlushët që jetojnë aty.
“Hana, e vogla 3-vjeçare që ka kaluar vitet e para të jetës në shtëpinë e foshnjës “Hanna dhe Rozafa”, sot fillon një kapitull të ri, duke u bashkuar me familjen e saj të re, ku do të rritet pranë dy vëllezërve të saj”, tha Koçiu.
Ministrja Koçiu u shpreh se “qëllimi ynë është të sigurojmë që çdo fëmijë të ketë një strehë të ngrohtë, një rritje të lumtur dhe të gjitha të drejtat që i takojnë”.
“Sot, me zemrën plot dashuri dhe shpresë, i uroj Hanës një rrugëtim të mbushur me gëzim dhe lumturi. Ne do të vazhdojmë të punojmë pa u ndalur që çdo fëmijë të ketë mundësinë për të ndërtuar një të ardhme të ndritur dhe të sigurt”, tha Koçiu.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me programet e saj të mbështetjes dhe fuqizimit të familjeve do të vazhdojë të orientojë përpjekjet për garantimin e të drejtave dhe mirëqenies së çdo fëmije anembanë vendit./ata