Zëdhënësja e PD-Demokratët Euroatlantikë, Mirela Karabina, u shpreh sot në një deklaratë për mediet se, projektligji për t’ia kaluar KOKSH-it organizimin e sporteve në sistemin arsimor është shkelje e kuadrit rregullator kombëtar e ndërkombëtar

Karabina tha se së fundmi, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka propozuar një projektligj i cili synon që t’i kalojë kompetencat e organizimit të sportit në sistemin arsimor, tek KOKSH.

Ajo shtoi se, kjo bëhet në shkelje të kuadrit rregullator kombëtar e ndërkombëtar dhe në përplasje të neneve ekzistuese me nenet e parashikuara për ndryshim në këtë projektligj.

Sipas saj, ligji njeh dy federata për zhvillimin e sportit në sistemin arsimor: Federatën Shqiptare të Sportit Universitar, për arsimin e lartë, dhe Federatën Shqiptare të Sportit Shkollor për arsimin parauniversitar.

“Dy Federatat Sportive që kanë atributin ligjor për të zbatuar këtë projekt në sistemin arsimor i janë drejtuar Komisioneve Parlamentare të Ligjeve dhe Edukimit dhe kërkojnë rishikim të këtij projektligj”, tha ajo.

Karabina më tej theksoi se, projektligji po kalon në mungesë të plotë të konsultimit publik, veçanërisht me grupet e interesit dhe me federatat përgjegjëse./ata