Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, GJKKO, ka vendosur që të zhvillojë me dyer të mbyllura procesin gjyqësor ndaj Emiljano Shullazit, Indrit Rusit, Indrit Taullait, Lulzim Berishës, Plarent Dervishaj, Viktor Imeraj, të cilët do të përballen me Luftar Reçin, ky i fundit i penduar i drejtësisë. Të pandehurit akuzohen për vrasjen e Klodian Saliut dhe Vajdin Lamaj.

 

Ndërkohë, SPAK është shprehur për mbajtjen e gjyqit me dyer të mbyllura, pasi cënohet siguria e dëshmitarit dhe dëshmitarëve të tjerë në proces.

 

Avokati i Plarent Dervishaj tha se nuk ka arsye që të zhvillohet proces i mbyllur.

 

“S’ka asnjë arsye të zhvillohet proces i mbyllur. S’ka të dhëna sekrete, pasi dëshmia e Reçit është e rremë”, tha avokati. I kundërt ka qenë argumenti i avokatja e Shullzit, i cili ka qenë pro vendimit të GJKKO. “Procesi me dyer të mbyllura. Mjaft me publicitet!”, tha përfaqësuesja ligjore e Shullazit.

 

Më herët Luftar Reçi kundërshtoi përballjen në Gjykatë me Shullazin dhe anëtarët e tjerë të bandës së tij. Përmes një letre nga burgu, ai i ka kërkuar gjykatës të dëshmonte përmes “Skype”, pasi i rrezikohej jeta.

 

“Nuk kam më mundësi e as fuqi të paraqitem në gjyq. Kam ardhur 5 herë dhe gjyqi është shtyrë. Unë jam paraqitur për respekt të drejtësisë. Jam i sëmurë prej vitesh me diabet dhe probleme të tjera shëndetësore. Kërkoj të dëshmoj me skype. Nëse avokatët kanë dyshime, të jenë prezentë tek unë dhe 2-3 gazetarë. Kam arsye shëndetësore dhe sigurie vajtje-ardhje. Ardhja ime në gjykatë është si të dërgosh qengjin mes ujqërve”, thuhej në deklaratën e Reçit.

 

Kujtojmë se Luftëtar Reçi është personi që me dëshmitë e tij ka bërë që të rihapen dosjet e bujshme të dy vrasjeve të ndodhura në 2005-ën, ajo e Klodian Saliut dhe e biznesmenit Vajdin Lamaj