Në vijim të kontrolleve të kryera në disa fshatra të thella në Lezhë, Mirëditë dhe Kurbin, policia ka gjetur dhe ka asgjësuar 1844 bimë kanabisi, ndërsa kultivuesit e tyre nuk dihen ende.

 

Në kuadër të fazës së 26-të të megaoperacionit policor të koduar “Imazhi”, policia ka asgjësuar nëpërmjet djegies në total 1844 bimë kanabisi, që u gjetën të kultivuara në zona të ndryshme të qarkut.

 

Konkretisht në Lezhë, janë gjetur në total 1061 bimë kanabisi, të kultivuara në 2 njësi administrative, konkretisht 593 bimë u gjetën në fshatin Troshan të njësisë administrative Blinisht, ndërsa 468 bimë u gjetën në fshatrat Fregen dhe Rras i Butë të njësisë administrative Ungrej.

 

Ndërsa në Kurbin u gjetën të kultivuara në total 412 bimë kanabisi, konkretisht 380 në fshatin Alk të njësisë administrative Fushë Kuqe, ndërsa 32 bimë u gjetën në fshatin Shkopet të njësisë administrative Milot.

 

Gjithashtu, në rrethin Mirditë, në njësinë administrative Kaçinar, në fshatin Shëngjergj, u gjetën të kultivuara 371 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.

 

Bimët narkotike, pas kryerjes së veprimeve procedurale, u asgjësuan nëpërmjet djegies.

 

Policia e Lezhës, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, vijon veprimet hetimore, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e autorit/ëve të kësaj veprimtarie kriminale.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.