Shqipëria U-17 luajti ndeshjen e parë kualifikuese në grupin 3, të vlefshme për Kampionatin Europian U-17 ndaj Kroacisë.
Në stadiumin “Air Albania” kuqezinjtë barazuan 1-1 me Kroacinë. Shqipëria zhvilloi një ndeshje shumë të mirë dhe dominoi me raste sidomos në pjesën e dytë, ku kuqezinjtë gjetën rrugën e rrjetës me Gabriel Kullën.
Trajneri Andrea Tedesco e nisi me këtë formacion titullar: Raffaele Huli (GK), Darli Kurti, Kris Gecaj (C), Andreas Llana, Lucas Cekrezi, Fabjano Nuhaj, Ernesto Marqeshi, Gabriel Kulla, Rikardo Sheji, Emiljano Mihana, Arian Gavelli Sanches.
Kroacia ishte më kërkuese në startin e ndeshjes, megjithatë kuqezinjtë ishin të vendosur mirë në prapavijë dhe larguan çdo rrezik.
Goli i parë i ndeshjes u shënuan në minutën e 28-të. Pas një harkimi në zonë nga lojtari i Kroacisë, futbollisti Darli Kurti nuk e largoi si duhet topin dhe shënoi autogol. Pjesa e parë u mbyll 0-1 për Kroacinë.
Fraksioni i dytë nisi me një zëvendësim për Shqipërinë. Arian Gavelli doli nga loja dhe u aktivizua Serxhio Vogli.
Shqipëria i shkoi shumë pranë golit në minutën e 60-të me Andreas Llanën. Mesfushori kuqezi provoi me një goditje spektakolare nga jashtë zone, por u ndal nga portieri kundërshtar.
Llana u shfaq rrezikshëm edhe në të 64-ën. Mesfushori mori mirë topin brenda zonës dhe provoi me një goditje, por topi përfundoi jashtë ngjitur me shtyllën.
Shqipëria barazoi rezultatin me Gabriel Kullën në minutën e 66-të. Rikardo Sheji gjuajti në mënyrë spektakolare nga goditja e dënimit, por topi u ndal nga tranversa. Më pas, sulmuesi Gabriel Kulla e dërgoi topin në rrjetë.
Në të 73-ën, Kulla pati sërish një rast të mirë, por goditja e tij u ndal fillimisht nga mbrojtësi kundërshtar e më pas nga portieri.
Trajneri Tedesco kreu dy zëvendësimet e radhës. Nga loja dolën Mihana e Marqeshi dhe u aktivizuan Shkëmbi e Ramku. Në vazhdim tekniku kuqezi aktivizoi edhe Spasian Naston e Amer Kthupin.
Shqipëria provoi deri në fund për të shënuar golin e dytë, por pa sukses. Ndeshja u mbyll në barazim 1-1.
Po sot u zhvillua edhe ndeshja tjetër e grupit 3, Holandë – Ishujt Faroe. Takimi i luajtur në stadiumin “Niko Dovana” përfundoi me fitoren e tulipanëve 6-0.
Më 12 tetor do të luhen ndeshjet e dyta të grupit 3. Kuqezinjtë do të presin Hollandën në stadiumin kombëtar “Air Albania”, me sfidën e planifikuar të luhet në orën 15:00 ndërsa në orën 11:00 në “Shtëpinë e Futbollit” do të luhet ndeshja Kroaci – Ishujt Faroe./ata