Shkodra dhe zonat e saj historike të mirënjohura, mes të cilave edhe zona e Zdrales janë tashmë në rrugën e transformimit urban të shumëpritur prej kohësh.

Pjesë e projekteve për vitalizimin urban dhe rilindjen e kësaj zone është edhe Stadiumi “Loro Boriçi” ku ka rinisur puna për ta rikthyer në jetë si një qendër aktivitetesh të ndryshme në shtatë ditë të javës.

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një inspektim në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër.

Kryeministri Rama, i cili ndodhet sot në Shkodër, pa nga afër mjediset e stadiumit, si dhe zonën përreth tij, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Shkodrës Benet Beci. “Me projektin e Zdrales që fillon këtu, kësaj zone duhet t’i jepet jetë” – u shpreh Kryeministri teksa u njoh edhe me ecurinë e deritanishme të disa prej projekteve të tjera.

Rama u shpreh se, pas një braktisjeje të frikshme rrënuese të investimit madhor që u bë për Shkodrën dhe Kombëtaren, ka rinisur puna në stadiumin “Loro Boriçi” për ta rikthyer në jetë si një qendër aktivitetesh të ndryshme në shtatë ditë të javës, të lidhur me projektin e rilindjes së zonës tradicionale të Zdrales.

Zona historike e Zdrales është një nga më të mirënjohurat e Shkodrës, me një aktivitet të gjerë tregtar, e sjellë së fundmi në vëmendje si nevojë për transformim të domosdoshëm, përmes vitalizimit urban dhe rilindjes së traditave më të bukura që ajo ka mbartur ndër vite./ata