Rritja e numrit të turistëve të cilët zgjedhin të vizitojnë Shqipërinë shoqërohet edhe me rritjen e numrit të vizitorëve në shtigjet natyrore të të gjitha vështirësive.

Ndaj, duke ndjekur interesin, por edhe problematikat e hasura nga numri i lartë i frekuentimit të shtigjeve, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura po punon për krijimin e të parit website zyrtar shtetëror të quajtur “Albanian trails”.

Ky website do të ofrojë për të gjithë të interesuarit informacionet e nevojshme për përzgjedhjen, e më pas ndjekjen e shtigjeve natyrore, pjesë e rrjetit të zonave të mbrojtura.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot në rrjetet sociale momente nga takimi i zhvilluar në hapësirën e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura tek Piramida e quajtur “InNature”.

“Pasionantë të ekoturizmit u mblodhën në një tryezë të gjelbër bashkëbisedimi me organizata, guida të ndryshme turistike, institucione lokale dhe dashamirës të natyrës, për një temë sa delikate aq edhe të bukur, siç janë shtigjet natyrore në rrjetin e zonave të mbrojtura”, u shpreh Kumbaro.

Turizmi i natyrës është konsideruar tepër i përshtatshëm për gjeografinë shqiptare, me një terren të thyer nga jugu në veri të territorit.

Ndaj Zonat e Mbrojtura në të 12 qarqet e vendit po ndërgjegjësohen dhe po përgatiten që ta shfrytëzojnë më së miri këtë lloj turizmi mjaft fitimprurës gjatë gjithë vitit./ata