Koreja e Jugut dënoi ashpër vendimin e Koresë së Veriut për të ndërprerë të gjitha lidhjet rrugore dhe hekurudhore me Seulin në mes të tensioneve në gadishull.

Ministria e Unifikimit e Koresë së Jugut ka thënë se Pheniani nuk i ka dhënë Seulit asnjë njoftim paraprak për masën, raportoi Agjencia e lajmeve "Yonhap".

"Ne e dënojmë fuqimisht masën e Koresë së Veriut si një akt anti-bashkimit dhe antikombëtar që kundërshton aspiratën për bashkim të popullit dhe banorëve tanë në Korenë e Veriut", ka thënë ministria.

Të mërkurën, Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë së Koresë së Veriut tha se do të ndërpresë rrugët dhe lidhjet hekurudhore me Korenë e Jugut në përgjigje të stërvitjeve luftarake në jug dhe vizitave të shpeshta nga asetet strategjike bërthamore të SHBA-së në rajon.

"Forcat armiqësore po bëhen gjithnjë e më të pamatur në histerinë e tyre konfrontuese, duke zbuluar hapur skemën e tyre për të përdorur forcat e armatosura në shkelje të sovranitetit të DPRK-së (Koreja e Veriut). Kjo e shtyn situatën e rëndë të sigurisë në gadishullin korean në një fazë më të paparashikueshme", tha ushtria e Koresë së Veriut në një deklaratë.

Ajo tha se Pheniani është duke ndërprerë plotësisht rrugët dhe hekurudhat e lidhura me Korenë e Jugut dhe duke fortifikuar zonat në anën veriore. Të dy vendet kanë rrugë dhe lidhje hekurudhore përgjatë linjës Gyeongui, e cila lidh qytetin kufitar perëndimor Paju me qytetin Kaesong të Veriut si dhe linjën Donghae përgjatë bregut lindor, sipas agjencisë.

Tensionet në Gadishullin Korean kanë qenë në rritje muajt e fundit pas stërvitjeve të përbashkëta ushtarake nga Koreja e Jugut dhe SHBA-ja, si dhe lëshimet e raketave nga Koreja e Veriut./aa