Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi tha se vendi i tij nuk është në kërkim të një lufte por se janë të gatshëm për çdo skenar,.
Duke folur për Al Jazeera, Araghchi iu përgjigj pyetjeve lidhur me një sulm të mundshëm të Izraelit ndaj Iranit dhe zhvillimeve në rajon.
"Nuk duam të ketë luftë dhe përshkallëzim të tensioneve në rajon, por jemi të gatshëm për çdo skenar. Do të shohim se si do të jetë sulmi i Izraelit. Duke vlerësuar do të tregojmë reagimin tonë", tha ai.
Araghchi theksoi se Izraeli po kërkon të përhapë luftën në rajon. "Forcat e rezistencës në rajon mund t'i përgjigjen Izraelit. Mbështetja jonë për forcat e rezistencës nuk do të kufizohet vetëm në politikë dhe diplomaci. Ne do t'u ofrojmë çdo gjë që ata kanë nevojë", shtoi ministri iranian.
Ai theksoi se gjatë vizitave të fundit në Arabinë Saudite dhe Katar diskutuan për çështjet e sigurimit të paqes në Gaza dhe Liban. "Kanalet diplomatike janë të hapura me SHBA-në. Ne shkëmbejmë ide në mënyrë indirekte përmes vendeve të tjera", tha Araghchi./aa