Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, pas takimit me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, tha se do të ofrojnë mbështetjen e nevojshme për të plotësuar nevojat e forcave të armatosura të Shqipërisë.

Presidenti Erdoğan dhe kryeministri shqiptar Edi Rama zhvilluan konferencë të përbashkët për shtyp pas takimit të tyre në Kryeministri, Takimit të Dytë të Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë dhe ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjeve midis dy vendeve.

Duke u shprehur se është i lumtur që ndodhet në vendin mik dhe vëllazëror të Shqipërisë, Erdoğan tha: "Siç e dini, vitin e kaluar ne festuam 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve tona diplomatike me Shqipërinë. Marrëdhëniet tona miqësore me Shqipërinë, të forcuara nga lidhjet historike dhe afërsia kulturore, në fakt shtrihen përtej një shekulli".

Ai tha se me diskutimet e sotme e thelluan më tej partneritetin strategjik të vendosur në vitin 2021 mbi këtë themel historik, njerëzor dhe kulturor, duke shtuar se gjatë takimit shkëmbyen mendime të detajuara për fushat e bashkëpunimit të përcaktuara në takimin e parë të Këshillit të mbajtur në Ankara në shkurt 2023.

Erdoğan tha se me Deklaratën e Përbashkët të nënshkruar theksuan vendosmërinë për të zhvilluar dhe thelluar Këshillin në fusha të ndryshme.

Ai tha se kanë "konfirmuar vullnetin e dy vendeve për të avancuar bashkëpunimin" me marrëveshjet që u nënshkruan sot në fushën e bujqësisë, arsimit të lartë dhe marrëdhënieve me publikun dhe komunikimit.

"Ne i shohim nismat tona në fushën e tregtisë dhe investimeve si hapa që do të rrisin mirëqenien e popujve tanë. Në këtë kontekst, ne do të vazhdojmë përpjekjet tona të përbashkëta për të rritur vëllimin e tregtisë në 2 miliardë dollarë në fazën e parë. Do të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të fortë në fushën e shëndetësisë me operimin e përbashkët të Spitalit të Miqësisë të Fierit, të cilin e ndërtuam në kohë rekord në vitin 2021", u shpreh më tej presidenti turk.

"Ne do të ofrojmë gjithashtu mbështetjen e nevojshme për të plotësuar nevojat e forcave të armatosura të partnerit tonë strategjik dhe aleatit të NATO-s, Shqipërisë, në fushën e pajisjeve ushtarake dhe trajnimit", theksoi Erdoğan.

Ai tha se gjithashtu kanë diskutuar edhe çështjen e luftës së përbashkët kundër organizatave terroriste, veçanërisht FETO-s.

"Shpresojmë se do të vazhdojmë luftën tonë kundër organizatave terroriste në mënyrë efektive përmes vendimeve që kemi marrë sot. Me kryeministrin kemi shkëmbyer ide edhe për çështje globale dhe rajonale. Ne ndjekim me vlerësim përpjekjet e Shqipërisë për vendosjen e paqes dhe stabilitetit si në rajonin tonë, ashtu edhe në nivel ndërkombëtar. Mizoritë izraelite në territoret e pushtuara palestineze, veçanërisht në Gaza dhe në Liban, ishin ndër pikat prioritare të rendit të ditës së takimit tonë", u shpreh Erdoğan.

 

- "Gjenocidi që po vazhdon prej një viti në Gaza është turpi i përbashkët i gjithë njerëzimit"

Duke deklaruar se ai gjithashtu ka shpalosur pikëpamjet e tij për agresionin e qeverisë së kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, e cila, siç tha ai, tani është bërë një kërcënim për rendin global përtej atij rajonal, presidenti Erdoğan tha:

"Gjenocidi që po ndodh prej një viti në Gaza është turpi i përbashkët i gjithë njerëzimit. Prandaj është urgjente që si komunitet ndërkombëtar, të bëjmë çmos që të sigurohet një armëpushim i përhershëm, të ofrohet ndihma humanitare dhe për vendosjen e presionit të nevojshëm ndaj Izraelit. Unë sinqerisht besoj se Shqipëria do të bëjë pjesën e saj në këtë drejtim".

 

- Xhamia e Namazgjasë

Presidenti Erdoğan kujtoi se sot me kryeministrin Rama do të bëjnë hapjen e Xhamisë së Namazgjasë, të cilën ai e quajti si "dhuratë e popullit turk për vëllezërit e tyre myslimanë në Shqipëri", e cila është ndërtuar me mbështetjen e Kryesisë së Çështjeve Fetare të Türkiyes dhe Fondacionit Diyanet.

Erdoğan falënderoi kontribuuesit që mundësuan ndërtimin e këtij objekti.

"Kjo vepër e dalluar, xhamia më e madhe në Ballkan, do të jetë një vend adhurimi ku do të lulëzojë ndjenja e paqes dhe unitetit, vlerat e larta të Islamit", tha ai.

Duke falënderuar gjithë popullin shqiptar, veçanërisht kryeministrin Rama, për mikpritjen e sinqertë, Erdoğan tha: "Shpresoj që hapat që kemi ndërmarrë dhe do të hedhim në fusha të ndryshme, ushtarake, politike, ekonomike dhe tregtare, si dhe në turizëm, si dhe konsultimet dhe vendimet tona, do të jenë të dobishme"./aa