Në Tiranë është inauguruar Xhamia e Namazgjasë, më e madhja në Ballkan dhe e ndërtuar me kontributin financiar të Türkiyes.

Në fjalën e tij në ceremoninë e inaugurimit të xhamisë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u shpreh se Xhamia e Madhe e Namazgjasë është tanimë trashëgimia e një populli të tërë.

Rama u shpreh se ndër breza, xhamia do ta dëshmojë gjestin e presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan, dhe do t'u flasë të gjithëve për lidhjen e pazgjidhshme mes dy popujve dhe vendeve.

"Faleminderit dhe mirënjohje zoti President i Republikës së Türkiyes. Miku im je gjithnjë i mirëseardhur në Shqipëri, në këtë shtëpinë tonë të vogël ku ka banesa të shumta, për përkushtimin tënd vëllazëror", u shpreh Rama.

Rama theksoi se sot pas plot 10 vitesh nga pikënisja, xhamia hyn në sofrën e kësaj vëllazërie kaq mirëfilli shqiptare.

Sipërfaqja e përgjithshme e Xhamisë së Namazgjasë është mbi 10 mijë metra katrorë, ku sipërfaqja e ndërtimit është 5.200 metër katrorë dhe sipërfaqja e brendshme e xhamisë është 2.415 metër katrorë. Xhamia ka një kapacitet të pranojë deri 10 mijë njerëz për adhurim në të njëjtën kohë.

Xhamia ka 4 minare 50 metra të larta dhe një kupolë kryesore 35 metra të lartë dhe 18 kupola të vogla, me detaje që kujtojnë arkitekturën osmane.

Ndërtesat ndihmëse të xhamisë përfshijnë salla konferencash, klasa, një sallë ekspozite, një bibliotekë, ambiente studimi, si dhe një qendër kulturore.

Xhamia e Namazgjasë është ndërtuar me kontributin financiar të Kryesisë së Çështjeve Fetare të Türkiyes dhe Fondacionit të Çështjeve Fetare të Türkiyes (TDV)./aa