Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i PSSH në takimin e hapur me grupin e dytë të aplikantëve në platformën digjitale bëri të ditur se deri tani janë 380 aplikime për “Deputetin që duam” për Shqipërinë 2030.

“Sa më shumë njerëz me mend, me pasion, me idealizëm për vendin, për punën, me ambicie, patjetër dhe me ambicie për t’ia dalë me sukses të jenë të përfshirë aq më shumë vendimmarrja është rezultat i një procesi të shëndetshëm. Sa më pak njerëz me mend, me dashuri për vendin, me sens përgjegjësie për detyrën, me sens borxhi për njerëzit që e kanë zgjedhur, me një sens ambicie që nuk është qorre deri në pikën që kjo karrige është e imja dhe unë i vë flaken po të dua vetë, por këtë karrige ta harroj se ma merr njeri, aq më keq shkon puna. Dhe ne këtu i kemi të dyja pamjet”, u shpreh kryeministri.

Rama tha se PS ishte partia më e madhe politike reale në Shqipëri.

“PS sot si një parti që është e vetmja parti politike reale në Shqipëri, është partia më e madhe shqiptare historikisht dhe kur them historikisht nuk kam parasysh atë tjetrën, kam parasysh gjithë periudhën e pluralizmit, qoftë këtu qoftë në të tjera zona ku janë shqiptarët”, u shpreh Rama

Ai shtoi se ka një peshë shumë të madhe për të garantuar vazhdimësinë dhe për të garantuar ndryshimin e gjeneratave.

“Sot gjenerata që ka meritat dhe përgjegjësitë dhe për çfarë nuk ka shkuar mirë në këto vite, është një gjeneratë që dominohet nga ata të cilët ishin si ju ose mbase disa dhe me të rinj se disa nga ju këtu, në vitet pas largimit të PS nga qeveria në 2005 dhe në 8 vite të opozitës. Dhe sot është shumë e qartë që sot ne kemi nevojë për të filluar një transfuzion të ri të gjakut, kemi nevojë për të filluar një ndryshim dhe një kalim të ri të stafetës duke filluar t’i japim mundësi një gjenerate tjetër, por jo tjetër në moshë thjesht, por tjetër edhe në përmbajtje, tjetër edhe në brumë”, deklaroi Rama./ata