Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Tiranë, ku konfirmoi edhe një herë se solidariteti mes Shqipërisë dhe Turqisë janë shembull për komunitetin ndërkombëtar.

Vizita e Presidentit Erdogan në Tiranë nisi me ceremoninë zyrtare të pritjes nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, me të cilin zhvilloi edhe një takim kokë më kokë.

Më pas Erdogan u prit në takim nga kryeministri Edi Rama, në ambientet e Kryeministrisë, me të cilin dha edhe një konferencë të përbashkët për shtyp.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga pritja e Presidentit Erdogan në ambientet e Kryeministrisë, të cilat i cilësoi si “Photo of the day”.

Në kuadër të kësaj vizite u zhvillua po ashtu mbledhja e Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë mes delegacioneve të dy vendeve ku u nënshkruan edhe 3 marrëveshje.

Vizita e presidentit turk u përmbyll me inaugurimin e xhamisë së Namazgjasë në Tiranë, e konsideruar më e madhja në Ballkan dhe e realizuar si një dhuratë e popullit turk për besimtarët myslimanë në Shqipëri.

Gjatë vizitës së tij në Shqipëri, Erdoğan shoqërohej nga zonja e parë Emine Erdoğan, ministri i Jashtëm Hakan Fidan, ministri i Industrisë dhe Teknologjisë Mehmet Fatih Kacır, ministri i Tregtisë Ömer Bolat, ministri i Rinisë dhe Sportit Osman Aşkın Bak, ministri i Bujqësisë dhe Pylltarisë İbrahim Yumakl.

Pjesë e delegacionit zyrtar ishin edhe: ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Abdulkadir Uraloğlu, ministri i Energjisë dhe Burimeve Natyrore Alparslan Bayraktar, kreu i Kryesisë së Komunikimeve pranë Presidencës Fahrettin Altun, kreu i inteligjencës (MIT) İbrahim Kalın, kreu i Çështjeve Fetare Ali Erbaş, kryekëshilltari i Presidentit për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Akif Çağatay Kılıç dhe kreu i Industrisë së Mbrojtjes, Haluk Görgün./ata