Dy vepra të kompozitorit Giacommo Puccini të cilat morën jetë që në rini të tij, u ngjitën në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës.
Preludi Simfonik i Puccini-t është një fantazi simfonike me një kohë të vetme që pasohet nga Messa di Gloria, një nga veprat më intime dhe prekëse të tij, shkruar kur ai ishte vetëm 20 vjeç duke përfaqësuar një dëshmi të gjeniut të tij të hershëm.
Kjo ishte një natë unike e sjellë nga Orkestra Simfonike e TKOB-së nën drejtimin e mjeshtrit të dirigjimit, Toufic Maatouk dhe Kori i TKOB-së nën drejtimin e maestro Dritan Lumshi. Në këtë mbrëmje të veçantë interpretuan tenori Raffaele Abete, baritoni Armando Likaj dhe bass-i Bledar Domi.
Pjesët e interpretuara konsiderohen nga veprat më emocionuese të Puccini-t, të cilat u rikthyen në TKOB pas plot 8 vitesh. Fillimisht u realizuan si një punim diplome, e cila do t’i paraprinte gjenialitetit Puccini-an në rrugën e vokalit dhe do të shërbenin si rrënjë të forta të sukseseve që pasuan./ata