Në Berat po vijon me intensitet puna për përfundimin e investimit në gjimnazin “Babë Dudë Karbunara”, financim i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe bashkisë, i cili do ta kthejë këtë shkollë në një institucion arsimor me standarde europiane.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga puna në këtë kantier, i cili do të shërbejë edhe si qendër komunitare.

“Shkolla e re do të ketë kapacitete të shtuara, palestër, auditor, bibliotekë, hapësira ndihmëse dhe laboratorë në një sipërfaqe ndërtimi prej 4380 m2, në shërbim të 640 nxënësve dhe mësuesve, si dhe do të shërbejë edhe pas orarit mësimor, si qendër komunitare”, tha kryeministri.

Shkolla “Babë Dudë Karbunara” në Berat është ndërtuar 60 vite më parë. Gjatë kësaj kohe, ka pasur disa rikonstruksione, por gjendja e ndërtesës ishte e amortizuar./ata