Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi sot, 77-vjetorin e ekzekutimit të grupit të deputetëve.
Brenda radhëve të deputetëve shqiptarë ekzistonin grupe antikomuniste. Qëndresa e tyre për të ndalur revanshin komunist u kushtoi jetën 16 deputetëve, që kishin mundur të hynin në Parlament. Gjyqi i “Grupit të deputetëve” filloi dhe u mbyll si një proces gjyqësor tërësisht i montuar, mbështetur në dëshmi që u ishin marrë të pandehurve nëpërmjet një dhune fizike dhe psikike të pashembullt gjatë hetuesisë.
Gjykata Ushtarake nën urdhrat e drejtpërdrejtë të Enver Hoxhës urdhëroi ekzekutimin e 16 të pandehurve të atij procesi dhe dënime të rënda për dhjetëra të tjerë nga rrethe të ndryshme, të cilët i akuzuan për lidhje dhe bashkëpunim me “grupin e deputetëve”.
Goditja brenda radhëve të Parlamentit ndaj të ashtuquajturit nga hetuesit si “grup klandestin i deputetëve” ishte e pamëshirshme ndaj grupit të parë të gjykuar të deputetëve të njohur si grupi i Shefqet Bejës me 16 të dënuar kapital, (nga 16 të ekzekutuarit në 10 tetor 1947, tre deputetë u dënuan me varje, Shefqet Beja në Tiranë, Sulo Klosi në Rubik, dhe Riza Alizoti në Kuçovë) dhe 13 të tjerët me pushkatim, ndërsa 21 bashkëlidhur me këtë proces ishte edhe Kolë Kuqali që vdiq në hetuesi më 30 maj 1947 nga torturat, zyrtarisht u shpall i vetëvarur, vdekur në spitalin ushtarak të Tiranës.
Me anë të këtij procesi, i cili nga dëshmitarët e kohës u cilësua si fund e krye farsë, Enver Hoxha synoi të nënshtronte dhe asgjësonte opozitën e vërtetë demokratike, duke i dhënë fund shprehjes së mendimit të lirë. Propaganda e shfrenuar i paraqiti ata në popull, si armiq që kishin bashkëpunuar me kriminelët dhe agjenturat e huaja. Me këto gjyqe të bujshme, diktatura komuniste synoi të shuante përgjithmonë çdo shpresë apo tentativë për demokraci e pluralizëm te shqiptarët./ata