Nga Erget Cenolli

Siç e kemi përmendur edhe në shkrime të tjera, khoxha Iliaz bej Mirahori, me vendosjen në qytetin e Korçës dhe pikërisht në katundin Peskopje, filloi dhe mbaroi ndërtimin e një kompleksi të gjerë dhe modern për kohën. Kompleksi kishte karakter fetar, arsimor, bamirës dhe ekonomik.

Qendra e gjithë këtij kompleksi ka qenë faltorja, pra xhamia që mban emrin e Mirahorit. Rrotull xhamisë u ndërtua medreseja (për të cilën kemi folur), imareti një han bamirësie ku udhëtarët do të ushqeheshin dy vakte në ditë falas, madje edhe ushqimi i kafshëve të punës do të ishte falas; dhe qendra ekonomike, pra Pazari.

Pazari në Perandorinë Osmane ka qenë epiqendra e zhvillimit ekonomik. Në librin, Historia e Perandorisë Osmane, hartuar nën drejtimin e Profesorit francez Robert Mantran (profesor i Merituar në universitetin e Provansës), shkruhet: “Jeta ekonomike (e Perandorisë Osmane) buron nga qendra tregtare që ishte pazari, i rrethuar me depo, hane dhe karvansaraje, ku mund të qëndronin njerëzit dhe kafshët. Kishte edhe xhami, banjo publike (hamame), çezma dhe shatërvane në dobi të qytetarëve.” (faqe 599) I tillë ishte edhe Pazari i Korçës.

Pazari, gjatë periudhës bizantine ishte vendosur brenda mureve të kështjellës fushore të qytetit (aty ku sot ndodhet zona këmbësore). Në këto rrethina ekzistonte edhe një Pazar tjetër ai i Mborjes, që prej vendasve quhej Shestet, por sipas të dhënave ai ka qenë një pazar periodik.

Iliaz beu me largpamësinë e një shpirti qytetar, e nxori këtë pazar jashtë mureve të kështjellës, në mënyrë që ta çlironte jetën ekonomike nga mbyllja midis mureve, në mënyrë që qyteti të bëhej (siç u bë në realitet) më i çlirët dhe mendjehapur.

Mbarështrimin e jetës ekonomike në pazar e ndihmonin dy faktorë të rëndësishëm: Të qenit pranë xhamisë, ku jeta ekonomike do t’i përshtatej konceptit islam të ekonomisë, motoja kryesore e të cilit përmblidhet në kapitullin El Bekare (paragrafi 275) të Kur’anit ku thuhet: “Zoti ka lejuar shitblerjen, por ka ndaluar kamatën!”. Faktori i dytë ishte ekzistenca e Imaretit, hanit të bamirësisë, ku tregtarët që vinin nga anë të ndryshme, mund të siguronin ushqimin falas për vete dhe kafshët e ngarkesës. Një tregtar që do të nisej me një sasi të caktuar asprash, të llogaritura për shitblerje, fjetje, ushqim për vete dhe për kafshët, do të çlirohej nga shpenzimet e qëndrimit, pra do të kryente një funizim dy-tre herë më të madh nga ai që kishte llogaritur. Po kështu, një tregtar apo zanatçi që merrte ca pare borxh për të hapur një dyqan apo filluar një tregti, do të merrte atë borxh pa pasur merakun se do t’i duhej në kthim të paguante fajdenë me dy apo tre fishin e huasë.

Në këtë mënyrë pazari shumë shpejt filloi të lulëzonte duke u kthyer nga një pazar modest, në “pikën e rëndesës” ekonomike për gjithë rajonin e Korçës dhe më gjerë. Ai u shtua e urbanizua shumë shpejt dhe u shndërrua në një mjedis që thith dhe rrezaton mendim ekonomik, kulturë tregtimi dhe informacion të bollshëm. Marrëdhëniet që u krijuan në këtë Pazar mund t’i përmbledhim në katër çifte:

  • kovaçi-bujku
  • hanxhiu-qeraxhiu
  • tregtari-dyqanxhiu
  • kafexhiu-pijetari

Të gjithë këta, veç qarkullimit të mallrave dhe mjeteve finaciare, qarkullonin para së gjithash, një informacion të vlefshëm dhe të shumanshëm. Nga bujku, kovaçi do të kuptonte se çfarë materialesh dhe çfarë veglash pune duhet të planifikonte për të farketuar më tepër. Nga bashkëbisedimi në dhomat e hanit, tregtarët (që vinin nga Perëndimi, Veriu e Jugu dhe shkonin në Stamboll e Lindje) do të merrnin informacion rreth tregjeve dhe sigurisë së rrugëve, për karvanet e tyre. Nga bashkëbisedimi me dyqanxhiun, tregtari do të përfitonte informacion të hollësishëm rreth nevojave të qytetarëve dhe katundarëve që vinin të blinin në Pazar. Nga pijetari, kafexhiu do të mësonte për të rejat dhe thashethemet që fliteshin në qytet e më gjerë.

Të gjitha këto krijuan zanatet bazë të qytetit të Korçës, zanate që i dhanë ndriçimin dhe formën urbanistike këtij qyteti, pasi edhe ky qytet është ndërtuar pothuajse në formën urbanistike të ketij pazari.

Nga zanatçiu u krijua edhe familja. Kështu mbiemrat kryesorë në Korçë janë me prejardhje osmane ose të paktën me prapashtesë të tillë, p.sh.: Kallajxhiu, Jorganxhiu, Furxhiu, Samarxhiu etj. etj. etj.

Përfundimi: Nga veprimi i Khoxha Mirahorit, qyteti mori modelin e një qyteti modern (për kohën) me katër cilësi, të cilat ku më shumë e ku më pak i ka edhe sot: Nga feja urtësinë dhe maturinë; nga medreseja dituritë; nga Imareti bamirësinë (tipar i qenësishëm edhe i mëvonshëm korçar) dhe nga Pazari shkëlqimin ekonomik.

 

Shënim: Skica lart e pazarit me shënimet përkatëse, është nxjerrë nga libri i profesor Piro Thomo “Korça, urbanistika dhe arkitektura”.