Türkiye dënoi të enjten sulmet e Izraelit që shjënjestruan Forcën e Përkohshme të OKB-së në Liban (UNIFIL).

"Sulmi i Izraelit ndaj forcave të OKB-së, pas masakrave të tij ndaj civilëve në Gaza, Bregun Perëndimor dhe Liban, është një manifestim i perceptimit të tij se krimet e tij mbeten të pandëshkuara. Komuniteti ndërkombëtar është i detyruar të sigurojë që Izraeli t’i përmbahet ligjit ndërkombëtar", thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme turke.

Deklarata thotë se Türkiye kontribuon në Task Forcën Detare të UNIFIL-it me një korvetë/fregatë dhe pesë pjesëtarë personeli të stacionuar në selinë e forcës së OKB-së.

Ministria shtoi se Türkiye do të vazhdojë të forcojë të gjitha nismat që synojnë të nxisin paqen në rajon në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

UNIFIL-i tha më herët të enjten se selia e tij në qytetin jugor libanez Naqoura dhe dy lokacione në afërsi u goditën nga forcat izraelite.

Të enjten në mëngjes, një tank izraelit Merkava qëlloi mbi një kullë vëzhgimi, duke e goditur atë drejtpërdrejt dhe duke shkaktuar rënien e dy paqeruajtësve, të cilët u dërguan në spital me lëndime të lehta, tha UNIFIL-i në një deklaratë.

Izraeli ka kryer sulme masive ajrore në gjithë Libanin që nga 23 shtatori kundër atyre që ai pretendon se janë objektiva të Hezbollahut, duke vrarë të paktën 1.323 njerëz, duke plagosur mbi 3.700 të tjerë dhe duke zhvendosur më shumë se 1,2 milion njerëz.

Fushata ajrore është një përshkallëzim i luftës ndërkufitare midis Izraelit dhe Hezbollahut që nga fillimi i ofensivës së Tel Avivit në Rripin e Gazës në tetor të vitit të kaluar, në të cilën Izraeli ka vrarë mbi 42.000 njerëz, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

Pavarësisht paralajmërimeve ndërkombëtare se Lindja e Mesme është në prag të një lufte rajonale mes sulmeve brutale të Izraelit ndaj Gazës dhe Libanit, ai e zgjeroi konfliktin më 1 tetor duke nisur një inkursion tokësor në Libanin jugor./aa