Gjatë mbrëmjes së së shtunës, politikanët serbë kanë pretenduar se Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka rrahur një djalë 15-vjeçar dhe një vajzë 17-vjeçare. Megjithatë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, në një përgjigje për Nacionalen ka mohuar këto pretendime dhe i ka quajtur “të pavërteta”.

 

 

Sipas deklaratës së zëdhënësit të Policisë së Kosovës, njësitë patrulluese ishin në detyrë zyrtare në rrugën Izvor-Banjska kur kanë hasur në dy motorë që transportonin pesë persona. Pas ndalimit të tre personave, Policia e Kosovës ka kryer kontrolle rutinore sipas procedurave të tyre, dhe pas kontrollit, tre nga personat janë liruar. Ai ka shtuar se deklaratat e ndryshme për rrahjen e dy të rinjve nuk janë të vërteta. Kelani ka theksuar se veprimet e policisë janë kryer në përputhje me procedurat e ligjit dhe në asnjë rast nuk ka pasur sjellje jo profesionale.

 

 

Njoftimi i plotë:

 

“Sot, me datën 17.06.2023, në orët e pasditës, njësitë patrulluese të cilat ishin në detyrë zyrtare në rrugën Izvor-Banjska, kanë hasur duke qarkulluar dy mjete (motorë) katër rrotësh me të cilët kanë qenë pesë persona. Njëri motor me dy persona ka vazhduar duke u shmangur sinjalizimit policor për tu ndalur dhe ka ikur në një rrugë mali, kurse tjetri ka vazhduar shmangien në drejtim tjetër në një teren të pa përshtatshëm, por zyrtarët policorë janë vënë në përcjellje këmbë, pasi që ka qenë tereni i pa përshtatshëm për të ikur larg, dhe diku rreth 150 metra nga rruga kryesore kanë hasur motorin në fjalë dhe dy personat. Kurse në një distancë prej rreth 350 metra, zyrtarët tjerë policorë kanë hasur personin e tretë, i cili kishte ikur në këmbë. Në atë lokacion është paraqitur edhe një femër, e cila ka deklaruar se është nëna e dy personave të ndaluar nga policia. Pas kontrollimit të personave dhe të mjetit (motorit), si dhe pas realizimit të procedurave policore, të tre personat janë liruar.Vlen të potencohet se veprimet policore janë realizuar konform procedurave të parapara ligjore dhe në asnjë rast nuk ka pasur ndonjë sjellje jo profesionale policore. Deklarimet e ndryshme se kinse policia i ka rrahur dy prej këtyre personave nuk qëndrojnë dhe janë të pavërteta. Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare trajton çdo ankesë të mundshme, që adresohet ndaj PK-së dhe po ashtu njofton Inspektoratin Policor (IPK). Policia e Kosovës, do të vazhdojë të mbajë të informuar opinionin me informata zyrtare dhe njëkohësisht fton mediat për bashkëpunim të mëtejmë”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovë, Baki Kelani.