Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot kontributin e presidencës hungareze të Këshillit të Bashkimit Europian, që ka nxitur, bashkërenduar dhe bërë të mundur që pas disa ditësh Shqipëria të hapë një pjesë të madhe të negociatave me BE-në.
Në një deklaratë të përbashkët për shtyp nga Budapesti me kryeministrin hungarez Viktor Orbán, Rama i shprehu atij mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur për Ballkanin Perëndimor dhe jo thjesht mbështetje me fjalë, por me vepra.
“Ai gjithmonë ka thënë që Ballkani Perëndimor është po aq i rëndësishëm për BE-në sa BE-ja për Ballkanin Perëndimor. Ndaj me kërshëri pres që shumë e më shumë gjëra do të bëhen ndërmjet 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Hungarisë edhe po të mos jetë vetëm në lidhje me gjërat që kanë të bëjnë me Procesin e Berlinit apo me planin e rritjes, por edhe në fushën financiare për aspekte që kanë të bëjnë më të nxënit nga historia dhe për ta gjykuar të tashmen duke u përpjekur që të mos na befasojë e ardhmja”, tha Rama.
Duke u ndalur te procesi i integrimit europian, Rama vlerësoi edhe kontributin e Komisionerit të BE-së, Oliver Varhelyi, i cili e ka shoqëruar Shqipërinë për 5 vite në këtë proces.
“Varhelyi ka qenë kyç dhe vendimtar për shumë nga ato arritje tonat, pra për këto arritje të rëndësishme, jo vetëm në aspektin dypalësh, ndërmjet nesh dhe BE-së, por edhe në aspektin shumëpalësh, pra me të gjithë ne, në rajon. Ka qenë vërtetë kënaqësi që të punonim me të dhe nuk jemi të kënaqur që nuk do të kemi mundësinë që të vijojmë të punojmë me të, por i urojmë suksese në të ardhmen dhe sigurisht që i detyrohesha këtë falënderim nga qyteti i vet, nga Budapesti”, tha Rama.
Kryeministri theksoi po ashtu se Shqipëria e ka parë gjithmonë Hungarinë si shembull, si model sa u përket reformave të brendshme në administratë, në qeveri.
“Reforma për të gjetur mënyra krijuese që ministritë të jenë sa më efikase, si edhe sa i përket një shoqërie ku ka mirëqenie, duke filluar nga kushte jo shumë inkurajuese sa u përket financave. Kështu që ne kërkojmë që të mësojmë gjithmonë e më shumë nga Hungaria dhe nga të gjithë ata që menaxhojnë sektorë të ndryshëm”, theksoi ai.
Duke folur për takimin me Orban, Rama vlerësoi se ai është një nga personat më të këndshëm për të folur për gjëra të ndryshme që po ndodhin në botë, por edhe për historinë si instrument nga i cili ne duhet të mësojmë.
“Jam vërtet shumë i nderuar për mënyrën se si Kryeministri, miku im, më prezantoi. Nuk e di nëse është e merituar, por këto fjalë prej tij kanë vërtetë rëndësi të madhe për mua. Të gjithë e dinë që Viktor Orban është ndoshta më i lehti për t’i hedhur fajin për gjithçka ndodh në botë, por për mua ai është një nga personat më të këndshëm për të folur për gjëra të ndryshme që po ndodhin në botë, por edhe për historinë si instrument nga i cili ne duhet të mësojmë për të analizuar dhe gjykuar të tashmen, por edhe për t’u përgatitur për të ardhmen”, tha Rama./ata