Buxheti për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve për vitin 2025 është parashikuar të jetë 9.6 miliardë lekë.

Klevis Qose, drejtor i përgjithshëm i Burgjeve në Komisionin e Sigurisë në seancën dëgjimore për buxhetin e vitit 2025, detajoi edhe mënyrën si do të shpenzohen të ardhurat e akorduara nga qeveria.

Qose tha se 92% janë shpenzime korente ndërsa 7.4% janë shpenzime kapitale. Sipas Qoses ka një rritje prej 5.2% ose 457 milionë lekë më shumë se viti 2024.

Duke folur për projektet kryesore, Qose tha se është parashikuar që të realizohet sistemi anti dron, si dhe ndërtimi i paraburgimit të Kukësit, që sipas drejtorit të Burgjeve do të kushtojë 240 milionë lekë.

“Projekte kryesore për investime kapitale janë parashikuar 700 milionë lekë ose një rritje rreth 160 milionë lekë krahasuar me një vit më parë. Është parashikuar të realizohet sistemi anti dron 160 milionë lekë, pajisje të ndryshme për sistemin e burgjeve, 31.1 milionë lekë, blerje e automjeteve dhe ambulancave 77 milionë lekë.

Përmirësimi i kushteve të fizike të jetesës nëpërmjet përmirësimit të përgjithshme të infrastrukturës 161 milionë lekë. Studime projektime 15 milionë lekë, sistemi në mirëmbajtjen e serverëve 12 milionë lekë, ndërtimi burgut të Kukësit 240 milionë lekë”- tha Qose.

Qose tha se kërkohet shtesë mbi tavane buxhetore për shpenzimet kapitale rreth 1.90 miliardë lekë.

“Përmirësimi i sistemit të sigurisë për burgun e Drenovës dhe Peqinit, me fond limit 812 mln lekë. Vendosja e sistemit anti-dronë 415 milionë lekë, e ndarë në dy faza. Sistemin e mbrojtjes për parandalimin e tentativave të arratisjes nëpërmjet pajisjeve teknologjike, me fond limit 550 milionë lekë e ndarë në dy faza, në fazën e parë në 6 IEVP dhe në tjetër në 9 IEVP”- tha Qose./ata