Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, pasqyra e Shqipërisë së sotme është pa diskutim krejt tjetër në krahasim me 10 vite më parë.
Në mbledhjen e zhvilluar sot me Grupin Parlamentar dhe Kabinetin Qeveritar për adresimet mbi qeverisjen, ligjin, korrupsionin dhe Nismën e Re Kombëtare për Shqipërinë 2030, Rama tha se, “sot pasqyra është pa diskutim krejt tjetër. Kush e diskuton këtë fakt, ose është pjesë e pandashme e autorësisë së asaj tabloje të vjetër, ose nuk di çfarë flet nga padija, nga ligësia apo nga të dyja bashkë”.
“Padija dhe ligësia janë sot përbërësit kryesorë të karburantit të debateve politike dhe mediatike, ku linçimi i tjetrit dhe shpërfillja përbuzëse e fakteve të pafavorshme për qëllimin e linçuesve, e kanë bërë të vërtetën si një gjysmagjel, shëmbëlltyrë të gënjeshtrës më të madhe”, tha Rama.
Por, shtoi Rama, “nuk është qëllimi im sot këtu të bëjë dallimin mes forcës sonë qeverisëse dhe forcave të vjetra keqqeverisëse, sepse më mjafton që këtë dallim si dita me natën e bën dhe do ta bëjë përsëri me votë shumica absolute e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi”.
“Vendosja përballë e dy tablove të Shqipërisë me një dekadë në mes tyre ka rëndësi vetëm për ta parë sa më objektivisht kontekstin e sotëm të përpjekjes tonë, si dhe për ta kuptuar sa më drejtë nevojën e një dallge të re reformimi në funksion të procesit të shtetbërjes evropiane të vendit tonë”, tha Rama./ata