Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës në tubimin e përnatshëm qytetar, është ndalur te aksioni i opozitës, duke theksuar se kjo betejë pa kthim do të përmbysë regjimin e organizatave kriminale shtetërore.

“Beteja jonë pa kthim merr përsipër të përmbysë regjimin e organizatave kriminale shtetërore në qeveri, parlament, narkopolici, narkodrejtësi”, u shpreh Berisha.

Lideri i demokratëve është zotuar se me ardhjen e PD në pushtet do të rriten pensionet, bursat dhe paga minimale për të gjithë shqiptarët.

“Zotohem para jush se nuk do të ketë pension dhe bursë poshtë 200 eurove dhe nuk do të ketë rrogë minimale poshtë 500 eurove”, deklaroi ai.

Berisha foli dhe për kriminalizim të ekonomisë, pastrim parash në fushën e ndërtimit, duke theksuar se eurot e drogës çojnë çmimet në stratosferë.

“Eurot e drogës çojnë çmimet në stratosferë dhe qytetarit i duhet të punojë një shekull që të blejë një apartament”, u shpreh ai.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve pesimistë t’i bashkohen Partisë Demokratike. “Ftoj të gjithë ata qytetarë, që ende janë të dëshpëruar dhe pesimistë, bashkohuni me ne, ne do të fitojmë”, theksoi kryetari i PD-së, Sali Berisha në fjalën e tij./ata