Kombëtarja shqiptare e futbollit luan sot në orën 20:45 përballë Republikës Çeke në Pragë, sfidë kjo e vlefshme për Ligën B, Grupi 1 të Nations League.

Sylvinho ka zgjedhur që t’i besojë skemës së tij të përhershme 4-3-3, me Strakoshën në portë, ndërsa para tij do të rreshtohen Mitaj, Kumbulla, Ismajli dhe Hysaj. Mesfusha do të përbëhet nga Asllani, Ramadani dhe Laçi, ndërsa Asani dhe Bajrami do të mbështesin Dakun në krye të sulmit, i cili është rikthyer me Kombëtaren pas dënimit që mori nga UEFA.

Jasir Asani dhe Thomas Strakosha duhet të shmangin kartonët e verdhë sot në Pragë, pasi nëse njëri prej tyre ndëshkohet, atëherë do të mungojë në sfidën kundër Gjeorgjisë më 14 tetor.

Në këtë sfidë, Silvinjo do duhet të bëjë llogaritë edhe mungesat për shkak të dëmtimeve. Silvinjo paraqitet në Pragë pa 4 lojtarë të rëndësishëm për skuadrën: Gjimshiti, Broja, Manaj apo Uzuni.

Drejtësi në këtë takim do të vendosë francezi Benoit Bastien, i ndihmuar nga pesë bashkëkombës të tjerë, 3 në fushë dhe 2 në dhomën e sistemit VAR.

Shqipëria përballë Çekisë njeh 1 humbje, 1 barazim dhe 1 fitore, kjo e fundit e ardhur pikërisht një vit më parë në “Arenën Kombëtare” me rezultatin 3-0, me futbollistët kuqezinj që do të përpiqen të përsërisin historinë.

Aktualisht, Shqipëria dhe Republika Çeke kanë nga 3 pikë, duke u renditur në vendin e dytë dhe të tretë në grup, pas 2 ndeshjeve të para, ndërsa Gjeorgjia mban kreun me 6 pikë.

Në media është bërë e ditur se janë më shumë se 1000 tifozë kuqezi në mbështetje të Kombëtares. “Epet Arena”, impianti ku do të zhvillohet ndeshja, i cili ka një kapacitet prej 18,887 ulësesh, ndërsa afro 450 tifozë janë pjesë e grupit të Tifozëve Kuqezi. Pjesa tjetër kanë udhëtuar nga vende të ndryshme të botës për këtë duel.

Kombëtarja do të paraqitet sot kundër Çekisë në Pragë me uniformën e dytë, atë të bardhë.

Formacionet zyrtare:
ÇEKIA: Kovar; Vitik, Holes, Boril; Coufal, Soucek, Cerv, Provod; Cerny, Chory, Sulc.
SHQIPËRIA: Strakosha; Hysaj, Kumbulla, Ismajli, Mitaj; Asllani, Ramadani, Laçi; Bajrami, Asani, Daku

Pas dy ndeshjeve të para situata në grupin e Kombëtares sonë paraqitet si më poshtë:

Liga B, Grupi 1
1. Gjeorgjia 6 pikë   (6:1)
2. Shqipëria 3 pikë  (2:2)
3. Çekia      3 pikë   (4:4)

4. Ukraina   0 pikë   (2:7)

/ata