Nga sot, Ndihma Juridike Falas do të ofrohet edhe nga 14 organizata të shoqërisë civile.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja bëri të ditur se autorizimi i organizatave të shoqërisë civile garanton mbulim në të gjithë Shqipërinë, me fokus të veçantë grupet vulnerabël.

“Së bashku me aktorët e shoqërisë civile që autorizuam sot, numri total i ofruesve të ndihmës juridike falas arrin në 47, duke garantuar shërbime më cilësore dhe akses më të lehtë në drejtësi për të gjithë qytetarët”, tha Manja.

Ndihma juridike falas lehtëson qasjen në drejtësi për personat të cilët, për shkak të gjendjes së tyre financiare, nuk janë në gjendje që t’i realizojnë të drejtat dhe interesat e tyre. Ndihma juridike falas përfshin ndihmë juridike të financuar nga ana e shtetit si dhe lirim nga pagesa për procedura të caktuara.

Tashmë Ndihma Juridike Falas mund të merret në zyrat rajonale të Ministrisë së Drejtësisë, pranë shoqatave dhe klinikave juridike të cilat janë të autorizuara për dhënien e ndihmës juridike falas, apo tek avokatë me kompetenca të fituara për dhënien e ndihmës juridike dytësore./ata