Kryeministri Edi Rama deklaron se Automotoparku i Elbasanit do të jetë një motor ekonomie i shtuar për vendin.

Gjatë podkastit “Flasim” ku i ftuar ishte Gentjan Shaqiri kampion në sistemin e FIA-s për të gjithë zonën e Europës Qendrore në motorsport, Kryeministri Rama u ndal te ky projekt madhor i cili do të sjellë “Formula 1” në Shqipëri.

Rama tha se me realizimin e këtij projekti Shqipëria do jetë i pari vend në historinë e “Formula 1” që nuk i ka parametrat ekonomike për të qenë në “Formula 1”.

“Pra do të jemi i pari vend në zhvillim që hyn në ‘Formula 1’ dhe ky është rezultat i asaj që ka ndodhur me Shqipërinë dhe me rritjen e reputacionit dhe respektit për Shqipërinë. Është rezultat i një pune të bërë në nivelin e gjithë atyre lidhjeve që ka mundësuar që njerëzit ta shohin Shqipërinë me sy tjetër. Mendoj që ne i kemi arritur këto por nuk them kurrë që mbaroi derisa s’ka mbaruar. Kjo për mua vlen për çdo punë. Jemi në hapin e fundit përpara firmosjes dhe me ndihmën e Zotit besoj do të ndodhi”, tha Rama.

Kryeministri vuri në dukje se projekti i paraqitur nga Shqipëria është vlerësuar shumë nga “Formula 1” pasi ka në fokus sigurinë rrugore.

“Është një koncept që na është vlerësuar shumë nga ‘Formula 1’. Ne kemi pasur disa kontakte deri në nivelin më të lartë të ‘Formula 1’. Është një koncept shumë interesant sepse nuk është thjesht një cirkuit për gara, është një park ku në zemër të këtij projekti do të jetë siguria rrugore”, tha Rama.

Sipas kryeministrit “ai do të jetë një destinacion për të edukuar njerëzit për sigurinë rrugore me module trajnimi, edukimi dhe argëtimi.

“Ky është ai momenti që e ka bërë projektin tonë shumë atraktiv dhe që na ka vendosur në sediljen e parë, pasi kërkesat për të marrë ‘Formula 1’ janë shumë”, shtoi Rama.

Rama theksoi se nga të gjitha sportet “Formula 1” është sporti që një garë e shikojnë 1 miliard njerëz.

Kjo, sipas tij, për Shqipërinë është shumë. “Pasi të shohin garën në Elbasan, sa prej tyre fillojnë mendojnë që vitin tjetër do të shkojnë në Shqipëri”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se kjo është sfiduese shumë për strukturën hoteliere por është edhe një motor ekonomie i shtuar për vendin./ata