Mungesa e vitaminës D është vazhdimisht në rritje te njerëzit për shkak të qëndrimit ulur për kohë të gjatë si dhe për shkak të kequshqyerjes.
Niveli i ulët i kësaj vitamine mund të ndikojë tek aftësia e organizmit për të absorbuar vlerat ushqyese si për shembull kalciumin si dhe fosforin, gjë që mund të rrisë mundësinë për zhvillim të problemeve që kanë të bëjnë me eshtrat si osteoporoza.
Mungesa e vitaminës D mund të shkaktojë dhimbje të muskujve dhe gjithashtu është e lidhur edhe me depresionin, çrregullimin bipolar dhe skizofreninë.
Një studim që është publikuar në UK Biobank, ka gjetur se mungesa e kësaj vitamine ka të bëjë edhe me rritjen e shkallës së vdekshmërisë te njerëzit e sëmurë me kancer.
Vitamina D gjendet në mënyrë të natyrshme te disa ushqime si peshku, mishi i kuq dhe mëlçia dhe mund të merret edhe si suplement.
Times of India ka radhitur disa mënyra të lehta për të marrë këtë vitaminë.
1- Drita e diellit
Drita e diellit ndihmon trupin të marrë vitaminë D, ndërkohë që rrezet ultravjollcë mund të nxisin sintezën e saj. Rrezet e dellit në mëngjesin e hershëm mund të nxisin trupin të prodhojë vitaminë D dhe të rritë nivelin e serotoninës, e cila mund të përmirësoj kualitetin e gjumit. Këshillohet që qëndrimi në diell të zgjasë prej 5 deri në 30 minuta.
2- Konsumimi i peshkut
Peshku konsiderohet të jetë burim shumë i mirë i vitaminës D dhe këshillohet që të konsumohet të paktën një herë në javë. 99 gramë salmon i përgatitur përmban 600 deri në 1000 njësi të vitaminës D, gjë që është më shumë se vlera e rekomanduar ditore për shumicën e njerëzve.
3- Përfshirja e kërpudhave në shujta ushqimore
Nëse dikush është vegjetarian dhe nuk konsumon mish të kuq dhe peshk, mënyra më e mirë për të rritur nivelin e vitaminës D në organizëm është duke konsumuar ushqime bimore që janë të pasura më këtë vitaminë, si për shembull kërpudhat. Kërpudhat prodhojnë vitaminë D kur ekspozohen në dritë të diellit.
4- Konsumimi i bulmetit
Përveç mishit të kuq, peshkut e kërpudhave edhe produktet e bulmetit janë të pasura me vitaminë D, si për shembull qumështi dhe djathi. Shumë lloje të qumështit e të djathit janë të fortifikuara me këtë vitaminë. Konsumimi i këtyre ushqimeve mund të përmirësojë nivelin e kalciumit, vitaminës C, B12 dhe vitaminës A, në trup.
Përveç këtyre, e verdha e vezës është gjithashtu një burim shumë i mirë i vitaminës D, e cila mund të shtohet në shumë ushqime./BalkanWeb