Qeveria australiane po ndërmerr hapa drejt kufizimit të aksesit në mediet sociale për fëmijët dhe adoleshentët, duke e lejuar atë vetëm për ata të moshës 16 vjeç e lart.

“Mijëra prindër janë të shqetësuar për sigurinë e fëmijëve në internet”, u tha kryeministri Anthony Albanese gazetarëve në Canberra.

Legjislacioni i propozuar do të diskutohet nesër në një takim të kabinetit dhe do të shqyrtohet në parlament këtë muaj.

“Megjithatë, mund të duhet rreth një vit përpara se rregullat e reja të hyjnë në fuqi”, raportoi transmetuesi australian ABC.

“Ky është legjislacioni më i rëndësishëm në botë – ne duam të sigurohemi që ai të jetë i drejtë”, tha Albanese, i cili kryeson Partinë Laburiste të qendrës së majtë.

Ai njoftoi më herët planin në shtator, duke e përshkruar ndikimin e rrjeteve në internet si Facebook, Instagram dhe TikTok tek fëmijët si një “shkatërrim”.

“Rrjetet sociale po u bëjnë dëm fëmijëve tanë dhe unë po kërkoj kohë për këtë”, tha Albanese. Nismën e mbështeti edhe opozita.

“Ideja që produktet e medieve sociale si Instagram, TikTok dhe Snapchat mund të bëhen ‘të sigurta’ për fëmijët më të vegjël është absurde”, tha zëdhënësi i Partisë Liberale David Coleman në një samit të medieve sociale në Adelaide, muajin e kaluar.

Coleman mbështeti propozimin për një kufi të qartë moshe prej 16 vjeç për aksesin në mediet sociale – duke vënë në dukje se koalicioni ishte angazhuar për nismën që në qershor.

Se si do të zbatohen masat mbetet ende e paqartë. Megjithatë, përgjegjësia për të verifikuar moshën minimale të përdoruesve synohet të bjerë mbi kompanitë e teknologjisë dhe platformat e internetit, dhe jo prindërit.

Sipas planeve, nuk ka dënime për përdoruesit./ata