Myftiu i Tiranës Gazment Teqja, është zgjedhur imami i xhamisë së Namazgjasë, e cila u inaugurua sot me prezencën e Presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan, Kryeministrit Edi Rama dhe mijëra besimtarëve që ishin të pranishëm në ceremoni.
Në intervistën e parë si imam i xhamisë së Namazgjasë të dhënë për gazetarin e News24 Renaldo Salianji, Teqja ka rrëfyer emocionet e para, si u prit nga besimtarët vënia në funksion e xhamisë, dhe si ajo do të menaxhohet nga Fondacioni.
“Ky Kuran është kaligrafi, i shkruar me dorë, dhe është i vjetër, ka edhe faqet e verdha, ka histori domethënë, dhe ky është bërë enkas dhuratë për xhaminë, por personalisht mu dhurua mua, në shenjë mirënjohje dhe në shenjë respekti nga Presidenti Erdogan.
Këtu ishin të pranishëm edhe Kryeministri i Shqipërisë, edhe kryetari i Komunitetit Mysliman të Turqisë, në momentin që u bë kjo dhuratë në shenjë mirënjohjeje”, rrëfen imami Teqja.
Dhe për të shuar debatet dhe aludimet lidhur me atë se kush do të jetë imami i xhamisë më të madhe në Ballkan, Teqja shprehet “unë jam imami i vetëm për momentin që jam emëruar këtu në xhami. Pra jam i vetmi imam zyrtar. Më pas do të shihen edhe imamët që do më zëvendësojnë nga pala shqiptare, por mund të jetë dikush edhe nga pala turke. Por për momentin unë jam i vetmi imam në këtë xhami”.
Intervista e plotë
Salianji: Urime për detyrën e re si imam i kësaj xhamie. Kjo është intervista e parë që jepni si imam i kësaj xhamie.
Gazment Teqja: Urime për të gjithë shqiptarët, ta gëzojnë të gjithë.
Salianji: Ju sapo përfunduat faljen e parë. Si ishte ndjesia të faleshit në këtë xhami
Teqja: Të them të drejtën ka mbi 3 dekada që besimtarët e Tiranës, por jo vetëm, e presin një xhami në tokën e Namazgjasë. Ishte diçka e veçantë, u preka që në momentin që lexova Kur’anin, edhe ta nisim me një pjesë nga Kurani famëlart, pikërisht në çeljen e ceremonisë si imam zyrtar dhe si drejtues i fondacionit, dhe di të them Zoti na ndihmoftë.
Besoj se do ta menaxhojmë shumë mirë, do të jetë burim mirësie, do të jetë burim, i fesë të bukur që kemi, do të jetë diçka që mbështet traditën tonë të bukur. Të gjithë besimtarët, por jo vetëm, janë të kënaqur shumë me ngritjen e këtij objekti kulti, sepse u plotësua dmth një objekt kulti madhështor për fenë myslimanë që kanë kaq shumë kohë që e presin.
Salianji: Ka pasur besimtarë të shumtë myslimanë që të bëjmë një tur për të gjithë ata që na ndjekin dhe nuk e kanë parë. Në hyrje të saj qëndron një Kuran me përmasa më të mëdha se ajo normale, që ishte dhuratë e Presidentit Erdogan për Ju personalisht.
Teqja: Ky Kuran është kaligrafi, i shkruar me dorë, dhe është i vjetër, ka edhe faqet e verdha, ka histori domethënë, dhe ky është bërë enkas dhuratë për xhaminë, por personalisht mu dhurua mua, në shenjë mirënjohje dhe në shenjë respekti nga Presidenti Erdogan.
Këtu ishin të pranishëm edhe Kryeministri i Shqipërisë, edhe kryetari i Komunitetit Mysliman të Turqisë, në momentin që u bë kjo dhuratë në shenjë mirënjohjeje.
Salianji: Ndalemi pak te hapësirat, kjo është salla kryesore e xhamisë, sa e ka kapacitetin
Teqja: Toka që është përdorur domethënë, toka e Namazgjasë është mbi 10 mijë metra, 10 mijë e 120 metra. Xhamia këtu te holli, por edhe te salla jashtë, që ka oborrin e jashtëm, por edhe me të gjithë ambientet, mund të akomodojë rreth 7500 besimtarë, kurse brenda përbrenda xhamisë, vetëm 5 mijë besimtarë. Shpresojmë që kjo plotëson nevojat e besimtarëve për një farë kohe, edhe për faljet e përditshme, edhe për faljen e të premtes.
Salianji: Edhe Presidenti Erdogan e ceku pak që ky është një objekt që ka vlera arkitektonike, por të ndalemi pak te vlerat funksionale. Nuk do të ketë vetëm këtë sallë lutjesh. Ne shohim që brenda sallës së madhe ka edhe…
Teqja: Kjo është salla e madhe që falen. Kati i dytë është ambienti që falen motrat myslimane, besimtaret. Ndërsa poshtë, ka ambiente fantastike, ambiente të bukura shërbimi. Aty ka një ekspozitë që mundet që të bëhen ekspozita të kulturave të ndryshme ose ekspozita të dobishme, në dobi të komunitetit.
Ka një Bibliotekë të madhe që do të vihet në funksion shumë shpejt, gjithashtu ka dy salla, një auditor shumë të mirë, që mund të përdoret për nevojat e komunitetit, por jo vetëm, por ka edhe një sallë seminaresh që mund të shërbejë për leksione apo takime me grupe të ndryshme, me studentë. Ka hapësira që do të jenë në funksion të të gjithë komunitetit, dashtë Zoti.
Salianji: Po ashtu do të ketë ambiente biznesi, si do të menaxhohen këto ambiente, duke qenë se ju jeni edhe Kryetari i Fondacionit
Teqja: Kjo quhet vakf, diçka që lihet për fe, dhe normal do të shihet mënyra më e përshtatshme, sipas rregullave dhe sipas interesit që do të ketë.
Salianji: Është diskutuar shumë gjatë këtyre ditëve se cili do të jetë imami i xhamisë. Ka pasur postime të ndryshme se cili do të ishte imami për t’i dhënë fund njëherë e mirë këtyre diskutimeve, kush është imami zyrtar dhe a do të ketë një imam turk në këtë xhami apo jo?
Teqja: Ka diçka, kjo është xhami e madhe. Te xhamia Xhura që kam shërbyer unë jam imam dhe kam zëvendësin dhe në momentin që nuk jam prezent, është dikush që më zëvendëson sepse janë 5 namazet e ditës. Normal edhe xhamitë e mëdha, xhamia Blu ose xhamia në Mekë, por edhe të gjitha xhamitë e mëdha, kanë disa imamë. Unë jam imami i vetëm për momentin që jam emëruar këtu në xhami. Pra jam i vetmi imam zyrtar. Më pas do të shihen edhe imamët që do më zëvendësojnë nga pala shqiptare, por mund të jetë dikush edhe nga pala turke. Por për momentin unë jam i vetmi imam në këtë xhami.
Salianji: Imamin e cakton KMSH?
Teqja: Jo jo, e cakton Fondacioni dhe Bordi. Tani sipas statutit të KMSH, myftinia Tiranë mbulon aktivitetet e kultit në të gjithë qarkun e Tiranës. Kështu që çdo gjë është në rregull dhe sipas rregullave.
Salianji: Po cili do të jetë roli i imamit turk në këtë xhami…
Teqja: Nuk ka imam turk deri tani
Salianji: Si e kanë pritur besimtarët, ju deri pak përpara ishit duke biseduar me ta..
Teqja: Besimtarët janë kënaqur shumë, Zoti ia shpërbleftë edhe për urimet edhe për lutjet dhe për përgëzimet që na kanë bërë. Vërtet ka qenë diçka e madhe. Gjej rastin të falënderoj donatorët se për Zotin, një objekt fantastik si ky, meriton falënderime. Dhe falënderoj edhe ata që kanë qenë kontribuuesit kryesorë për të ardhur deri në këtë pikë që të hapet dhe të bëhet funksionale. Zoti i shpërbleftë që të gjithë, edhe ata që kanë pasur kontributin më të vogël.
Salianji: Si do të vazhdojë të funksionojë kjo xhami? Është brenda juridiksionit të KMSH, është jashtë juridiksionit
Teqja: Si çdo xhami tjetër. KMSH ka pranuar që të krijohet Fondacioni dhe ta menaxhojë, por nuk është jashtë juridiksionit.
Salianji: Aktualisht është pronë e KMSH kjo xhami?
Teqja: Edhe toka, edhe leja e ndërtimit janë dhënë për KMSH, por do të menaxhohet nga Fondacioni që e drejton myftiu i Tiranës./BalkanWeb