Është prezantuar sot partia më e re politikë në Shqipëri. “Djathtas 1912” është subjekti politik që ka në krye disa nga figurat e larguara nga Partia Demokratike, si Enkelejd Alibeaj, Arbi Agalliu, Flutura Açka, Seladin Jakupllari, Edvin Kulluri, Agron Kapllanaj, Roland Bejko.

Deputeti Enkelejd Alibeaj prezantoi para mbështetësve Kartën e Parimeve dhe Vlerave. Ai tha se “për ne përfaqësimi sa më i drejtpërdrejtë i sovranitetit popullor në çdo nivel të qeverisjes është jetësimi i lirisë”.

“Vlerat dhe parime që na kanë bërë dhe ua ofrojmë shqiptarëve. U prazantojmë kartën e vlerave dhe parimeve të Djathtas 1912. Ne besojmë në parimet e spektrit të djathtë që ka në thelb liritë e individit”, tha ai.KARTA E PARIMEVE DHE VLERAVE
Ne besojmë në parimet e spektrit të djathtë i cili ka në themelet e tij lirinë e individit si baza e të gjithë e kohezionit shoqëror, ekonomik dhe politik. Për Ne përfaqësimi sa më i drejtpërdrejtë i sovranitetit popullor në çdo nivel të qeverisjes është jetësimi i lirisë. Ne e shohim zhvillimin e vendit të bazuar mbi pesë shtylla themelore të lirisë: individin, pronën, familjen, vetëqeverisjen dhe besimin. Ne besojmë tek individi dhe të drejtat natyrore, politike e ekonomike e të patjetërsueshme, për jetën, lirinë, ndërgjegjen, fjalën e lirë dhe ushtrimin e lirë të fesë, të drejtën për të qenë i lumtur, për të pasur pronë, për të ndërtuar pasuri dhe për të mbrojtur veten dhe familjet.

Dinjiteti i njeriut është baza themelore e lirisë së tij. Qëllimi i shtetit është të sigurojë këto të drejta dhe të synojë gjithmonë ruajtjen dhe rritjen e lirisë. Qeverisja nuk është qëllim por mjet. Ne besojmë te sovraniteti dhe shteti si njësi unitare, te Kushtetuta e vendit, qeverisja përfaqësuese e drejtë që garantohen nga kontrolli dhe balanca mes parlamentit, qeverisë dhe drejtësisë. Këto janë gurët e themelit dhe zbatimi me rigorozitet i Kushtetutës dhe ligjeve që rrjedhin prej saj janë baza për zhvillimin vendit. Ne besojmë se vota e lirë dhe paprekshmëria e saj, pluralizmi i pikëpamjeve dhe respektimi i mendimit të individit janë themelet për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë funksionale.

Ne besojmë në “një qeveri të ligjeve dhe jo të njerëzve”, të institucioneve dhe jo drejtuesve, ndaj shteti i së drejtës është themeli ynë. Për të ruajtur liritë e individit dhe ato shoqërore drejtësia duhet të shërbehet në mënyrë të barabartë dhe të paanshme për të gjithë. Ne besojmë se një qeveri është më efikase dhe e pa korruptuar kur është e kufizuar në madhësinë dhe fuqinë e saj. Qeveri e vogël por e fortë.

Eliminimi i rregullave të panevojshme dhe burokracisë ndihmojnë për të siguruar që qeveria t’u shërbejë njerëzve dhe jo anasjellas. Decentralizimi i pushtetit lokal dhe qendror janë parime të rëndësishme që sigurojnë angazhimin dhe pjesëmarrjen e shoqërisë në çdo hallkë të saj. Qeverisja vendore është guri i themelit të sovranitetit të komuniteteve dhe afrimit të qeverisjes tek qytetarët. Komuniteti është lidhje organike mes njerëzve, shteti është lidhje mekanike por e domosdoshme. Për Ne, grupet e interesit nuk janë as klientelë dhe as vasalë të qeverise por ndërmjetës mes shoqërisë dhe qeverisjes. Ne mbështesim tregun e lirë, ekonominë e plotë të tregut, përfshirjen sa më të vogël të shtetit në ekonomi, pavarësinë e individit në treg dhe lirinë e paprekshmërinë e pronës private si themele të ndërtimit të një ekonomie dhe shoqërie të lirë, të shëndetshme dhe sa më të pavarur. Biznesi e individët, dhe jo qeveria, janë krijuesit e vërtetë të mirëqenies dhe punësimit. Ne besojmë se liria e tregut është rruga më e mirë për përmirësimin dhe rritjen e ekonomisë dhe shpërndarjen sa më të drejtë të pasurisë. Ne besojmë se konkurrenca duhet të inkurajohet, ndaj ndërhyrja e shtetit dhe rregullimi duhet të kufizohen duke mos cenuar zbatimin e ligjit. Njerëzit janë më të aftë për të marrë vendime për jetën dhe begatinë e tyre sesa burokratët. Sistemi i sipërmarrjes së lirë është baza e zhvillimit dhe rritjes së ekonomisë.

Ekonomia kombëtare duhet të bazohet tek prodhimi. Po ashtu shpërndarja e drejtë e aseteve kombëtare është jetike për një shoqëri të drejtë për këdo. Familja është baza e zhvillimit shoqëror për Ne. Rritja e një familje të shëndetshme, mbi baza të traditës dhe barazisë shoqërore, është boshti i ndërtimit të shtetit dhe mirëqenies së individit. Ne besojmë se çdo jetë njerëzore ka dinjitet dhe vlerë të paçmuar dhe një politikë e drejtë mbron jetën, nderon martesën dhe familjen, si institucionet kryesore të një shoqërie të shëndetshme që përqafon ndikimet kulturore jetësore të fesë dhe moralit. Për Ne tradita është konteksti prej nga vjen, qëndron dhe sheh përpara shoqëria shqiptare. Në të njëjtën kohë, dënojmë me vendosmëri diskriminimin e qytetarëve me orientim të ndryshëm seksual. Ne jemi për ruajtjen e tradicionales dhe të hapur për ndryshimin me kushtin e ruajtjes së vijimësisë së shoqërisë mbi baza të mbrojtjes së traditave tona më të mira dhe vazhdimësisë së shtetit mbi themelet e tij historike, juridike dhe institucionale, por duke nxitur zhvillimin me të gjitha mundësitë të inovacionit, arsimin e shëndoshë dhe avancimin modern të shkencës dhe teknologjisë.

Liria e besimit fetar pa asnjë ndërhyrje abuzive të shtetit dhe kultivimi i vlerave më të mira të traditës së besimeve dhe harmonisë fetare në vend janë të një rëndësie të veçantë për zhvillimin shoqëror të vendit. Ne mbështesim fort shtresat e persekutuara nga sistemi komunist dhe aspirojmë për drejtësi për krimet e komunizmit si dhe mbështetemi në vlerat më të mira të elitës shqiptare që u shkatërrua nga diktatura dhjetëra vjeçare. Mungesa e rishikimit të historisë është një nga shkaqet e polarizimit politik 33 vjeçar. Bashkëjetesë sociale e politike pa besuar në vlerat e përbashkëta nuk mund të ketë. Historia vlen për të mos përsëritur gabimet e të shkuarës.

Ne vendosim përpara të gjithash interesin kombëtar të vendit, ruajtjen e sovranitetit, kulturës dhe tërësisë territoriale, duke mbështetur fort të gjithë bashkëkombasit shqiptarë dhe duke u angazhuar për përparimin e Kosovës si shtet i pavarur dhe të gjithë faktorit shqiptar në rajon si kartë e rëndësishme për zhvillimin e aspiratave të tij. Ne duhet të përpiqemi për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit dhe më gjerë duke rritur angazhimet e vendit si anëtarë të denjë të NATO-s si dhe duke synuar sa më parë integrimin dhe anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian. Për Ne, siguria energjetike, ajo ushqimore dhe kibernetike përbëjnë prioritete të sigurisë kombëtare. Meritokracia dhe qarkullimi i elitave si dhe thithja e vlerave më të mira intelektuale të vendit përbëjnë parimet bazë në të cilat besojmë. Ne promovojmë lirinë e organizimit sepse besojmë që demokratizimi i jetës politike/partiake dhe vendimmarrja në duart e anëtarit janë premisa të realizimit me sukses të propozimeve dhe projektit tonë politik./BalkanWeb