Numri i të papunëve kryesisht të rinj dhe grupe vulnerabël që kanë arritur të punësohen, ka ardhur në rritje. Sipas të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, përmes shërbimeve të ofruara për punëkërkuesit e grupeve të veçanta nga Zyrat e Punës dhe Qendrat e Formimit Profesional, për periudhën Janar-Gusht 2024, 7,824 të rinj deri 29-të vjeç janë ndërmjetësuar në tregun e punës përmes shërbimeve të punësimit, me një rritje prej 14% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Po ashtu, rezultojnë rreth 11,791 vajza dhe gra të ndërmjetësuara në tregun e punës përmes Programeve të Nxitjes dhe Shërbimeve të Punësimit, duke shënuar rritje me 33%. Nga ana tjetër 2,638 individë, përfitues të ndihmës ekonomike u punësuan ose kanë marrë formim profesional. Si dhe janë 967 të papunë nga komuniteti Rom dhe Egjiptian të integruar në tregun e punës.
Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive zbaton disa programe të ndërmjetësimit për punësim, në mënyrë që të lehtësojë këtë proces për grupe të veçanta.
Forcimi i efikasitetit të Skemës së Politikës së Punësimit është një ndër reformat që pritet të ndërmerret në kuadër të Agjendës Kombëtare të Reformave 2024-2027. Papunësia vazhdon të mbetet një fenomen shqetësues në Shqipëri, ndaj politikat për zbutjen e këtij fenomeni qëndrojnë në qendër të agjendës së reformave.
Reforma synon ofrimin e programeve të reja dhe më të larmishme të tregut të punës, për trajtimin e atyre punëkërkuesve që përfitojnë ndihmë ekonomike, punëkërkuesit e papunë afatgjatë, si dhe punëkërkuesit e papunë afatgjatë me arsim bazë ose pa arsim paraprak.
Deri në qershor të vitit 2026, pritet që të rritet me 8% numri i punëkërkuesve të papunë të regjistruar në Programet Aktive të Tregut të Punës (PATP), si dhe njëkohësisht do të ketë një rritje të regjistrimit të punëkërkuesve në zyrat e punësimit në 60% të totalit të të papunëve./Tema