Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat diskutoi sot ndryshimet e propozuara në ligjin “Për investimet strategjike”, nismë e deputetit Eduard Shalsi.
Ndryshimet synojnë rritjen në mënyrë të konsiderueshme të vlerës minimale të projekteve të investimit, të cilat aplikojnë për status strategjik në sektorë të klasifikuar strategjikë sipas këtij ligji; detajimin e procedurave të paraqitjes së dosjes së projektit dhe vlerësimit të saj duke përmirësuar afatet e shqyrtimit dhe duke theksuar përgjegjësitë që ka çdo ministri linje; si dhe zgjatjen e afatit të paraqitjes së kërkesave nga subjektet investuese të interesuara për përfshirjen në procedurat për përfitimin e statusit “investim/ investitor strategjik” në zbatim të ligjit “Për investimet strategjike”, deri në datën 31 dhjetor 2027.
Kryetari i Komisionit Eduard Shalsi, i cili dhe ka propozuar ndryshimet në ligj, bëri të ditur se paketa e plotë ligjore, e hartuar në vitin 2015, u konceptua si një paketë ligjore pilot, me qëllim që t’u jepte një nxitje të mëtejshme projekteve të investimit në sektorët e cilësuar strategjikë sipas këtij ligji.
Sipas Shalsit, eksperienca dëshmoi se interesi i subjekteve ishte shumë i lartë për këtë paketë ligjore dhe masave mbështetëse që ajo ofron, ndaj nga viti 2018 e deri aktualisht kësaj pakete ligjore i është shtyrë afati i paraqitjes së aplikimeve të reja çdo vit.
Nga viti 2016 e deri tani janë trajtuar 88 projekte investimi, prej të cilave 40 kanë përfituar status strategjik, 14 projekte janë refuzuar dhe 34 projekte janë në fazë vlerësimi.
Pjesa më e madhe e këtyre projekteve janë në sektorin e turizmit ose turizëm i integruar.
“Duke qenë se interesi i subjekteve është ende shumë i lartë për këtë paketë ligjore dhe fluksi dhe stoku i investimeve të huaja në vend janë në shifrat më të larta, me qëllim shmangien e krijimit të këtij boshllëku ligjor, si dhe të pasojave që mund të krijohen prej tij, është menduar zgjatja e afatit të paraqitjes së kërkesave deri në datën 31 dhjetor 2027”, tha Shalsi.
Sipas legjislacionit aktual, subjektet e interesuara mund të aplikojnë me projekte që fillojnë nga vlera 1 milion euro dhe të përfitojnë masat mbështetëse që legjislacioni parashikon.
“Aktualisht të gjithë sektorët janë të rregulluar me ligje dhe ka ardhur koha të trajtohen me procedura nxitëse dhe favorizuese ato projekte që propozojnë vlera të konsiderueshme investimi, si dhe sjellin brand-in apo eksperiencën ndërkombëtare të standardit më të lartë, ndaj propozohet që vlera minimale e një projekti të propozuar për t’u kualifikuar si investim potencial strategjik të jetë mbi 50 milionë euro në çdo sektor, ose të krijojë minimalisht 300 vende pune. Njëkohësisht, nëse subjekti synon procedurën e veçantë në çdo sektor, vlera e investimit të jetë e barabartë ose më e madhe se 100 milionë euro, ose investimi të krijojë minimalisht 500 vende të reja pune”, tha Shalsi.
Njëkohësisht, shtoi ai, propozimi për ndryshime në ligj synon edhe rritjen e përgjegjshmërisë së vlerësimit të këtyre projekteve duke detajuar procedurën e vlerësimit, ndarjen e përgjegjësive, si dhe në ndryshimet e ligjit përcaktohen dhe kushtet për monitorim kontrate/marrëveshje dhe shfuqizim statusi në rast mosplotësimi të kushteve të dakordësuara më parë.
Zëvendësministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Endrit Yzeiraj i pranishëm në Komision, bëri të ditur se MEKI e mbështet këtë propozim dhe se zgjatja e afatit legjitimohet edhe për shkak të zhvillimeve ekonomike në të cilat po kalon vendi.
“Kemi pasur sezon turistik në nivele historike, por për herë të parë pas 30 vitesh kemi edhe një llogari korente në suficit. Ligji për investimet strategjike nuk është faktori i vetëm në këto zhvillime, por një nga faktorët që ka shërbyer në zhvillimin e sektorit të turizmit por edhe kthimin e tij në një magnet tërheqës për investimet, kryesisht në sektorin turistik, por jo vetëm”, tha Yzeiraj.
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, njëkohësisht nënkryetare e Komisionit, në fjalën e saj theksoi se ligji bie ndesh me marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit pasi cenon konkurrencën.
Sipas saj, qeveria duhet të kishte përfunduar ligjin e integruar “Për investimet strategjike” prej disa vitesh, siç edhe kishte premtuar, dhe si ai duhet të ishte në frymën e procesit të integrimit europian.
Ajo ngriti si shqetësim edhe transparencën me të dhënat sa i takon vlerës së investimeve të huaja, si dhe numrit të të punësuarve të gjeneruara nga projektet e miratuara.
“Edhe sot nuk e dimë sa vende pune janë krijur e sa të ardhura janë gjeneruar”, deklaroi Tabaku./ata