Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixhi akuzoi sot qeverinë se po kërkon të vendosë nën kontrollin e vet edhe kërkimin shkencor, përmes projektligjit “Për kërkimin shkencor dhe shkencën”.
Me këtë projektligj, tha Xhixho, qeveria shkel hapur ligjin “Për arsimin e lartë”, duke cenuar rëndë lirinë akademike dhe autonominë e institucioneve të arsimit të lartë.
“Në 11 vite, qeveria nuk e ka financuar kërkimin shkencor dhe as arsimin në tërësi. Vetëm 0.04% e PBB-së shkon për kërkimin shkencor, ndërkohë që pedagogët në protestat e tyre kanë kërkuar që të shkojë të paktën 0.3% e PPB-së, kur standardi i BE-së është të paktën 3% e PBB-së”, deklaroi Xhixho.
Me ligjin e ri, tha ajo, universitetet dhe institucionet kërkimore zhvishen nga detyra dhe përgjegjësia e tyre për t’u angazhuar me veprimtari shkencore e për të promovuar stafet e tyre kërkimore.
“Ligji “Për kërkimin shkencor dhe shkencën” është atentati i radhës kundër shkencës, institucioneve kërkimore dhe studiuesve”, deklaroi Xhixho.
Xhixho kërkoi të ndalet avancimi i këtij projektligji në procesin parlamentar.
“Opinioni i Konferencës së Rektorëve, si struktura më e lartë e drejtimit të sistemit të Arsimit të Lartë, e përbërë nga të gjithë rektorët e universiteteve publike dhe private, duhet të dëgjohet dhe të kthehet në platformën mbi të cilën nis diskutimi për një ligj efektiv”, tha ajo./ata