Në autostradën Tiranë-Durrës ka nisur puna për zgjerimin e trupit të rrugës me nga dy korsi në secilën anë, ku njëra korsi do të shërbejë për emergjencat, duke e bërë autostradën, në përfundim të punimeve, me nga katër korsi në secilin drejtim.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se fillimisht po kryhet spostimi i pemëve nga Bashkia e Tiranës të cilat do të mbillen në Parkun e Liqenit Artificial dhe në disa pika të tjera të qytetit.

“Puna për zgjerimin e rindërtimin e autostradës Tiranë – Durrës ka nisur me spostimin e fondit të saj të gjelbër nga bashkia e Tiranës në disa pika, duke filluar nga Parku i Liqenit”, u shpreh Rama në një postim në rrjetet sociale, ku publikoi edhe pamje të kantierit.

Puna për zgjerimin e autostradës ka nisur në 2 lotet e para, kthesa Kamzë-Vorë dhe Vorë-Sukth, për të cilat janë shpallur edhe fituesit.

Edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka publikuar në rrjetet sociale video nga ky operacion që garanton ruajtjen e mjedisit gjatë punimeve të infrastrukturës. “Me fillimin e punimeve për zgjerimin dhe rindërtimin e autostradës Tiranë-Durrës, ka nisur zhvendosja e të gjitha pemëve të cilat do të mbillen në hapësirat e Parkut të Liqenit Artificial dhe në disa pika të tjera”, shprehet ai./ata