Të varfër, por me kursime në banka. Në një kohë që gati 42 për qind e popullsisë kanë në xhepa më pak se 550 lekë për të shpenzuar në ditë, depozitat në banak kanë arritur në nivelet më të larta që prej viteve ‘90.
Në fund të qershorit, paratë e kursyera arritën në mbi 1.3 trilionë lekë, 57.7 miliardë lekë apo 4.6 për qind më tepër se qershorin e një vit më parë.
“Vitet e fundit kemi një rritje të pagave, por edhe remitancave. Kjo ka sjellë këtë situatë. Ndërkohë kemi edhe inflacionin. Kryesisht po zhvlerësohen të ardhurat e familjeve në veri të vendit, që presin më shumë dërgesa emigrantësh. Ndryshe ndodh në Korçë apo Durrës”, tha Leons Hasani, ekspert për ekonominë.
Të dhënat nga Banka Qendrore tregojnë se me gjithë zhvlerësimin, euro është valuta kryesore në të cilën shqiptarët mbajnë kursimet e tyre. Në 11 bankat e nivelit të dytë në fund të qershorit pati mbi 7.5 miliardë euro të kursyera nga më pak se 6.7 miliardë qershorin e një viti më parë.
“Kjo pasi ka shumë të rinj veçanërisht që të ardhurat e tyre po i kanë në euro. Janë ata që kanë aftësinë më të madhe për të kursyer që punojnë në kompani të huaja.”
Por situata nuk përputhet tërësisht me atë që shqiptarët thonë.
“Unë punoj dhe ha, nuk kam kursime. Nuk na del për të kursyer. Kurse sot e kurse nesër, nuk kemi ça bëjmë. Në këtë vend jemi. Nuk del dot jashtë kornizës. Po jo. Ku ka. Nuk kemi ndonjë buxhet për të kursyer. Nuk na del.”
Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në fund të qershorit stoku i depozitave në monedhën kombëtare ishte pak më shumë se 591 miliardë lekë. Në raport me qershorin e vitit 2023, kursimet në lekë rezultojnë të jenë zgjeruar me 7.8 për qind./Tema