Në prag të Samitit të Procesit të Berlinit, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim bilateral me ministrin e Shtetit për Evropë, Amerikë Veriore dhe Territore të Mbretërisë së Bashkuar, Stephen Doughty dhe me të dërguarin e Posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach.
Në një komunikatë të lëshuar nga zyra e kryeministrit Kurti sot theksohet se në takim “u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, fushat e ndryshme të bashkëpunimit ndërshtetëror, me theks tek ajo e mbrojtjes, proceset integruese Euro-Atlantike të Kosovës dhe mundësitë e reja në shërbim të thellimit të raporteve bilaterale”.
Të dyja palët uruan Forcën e Sigurisë së Kosovës për suksesin në garën “Cambrian Patrol” në Mbretërinë e Bashkuar, ku ekipi i FSK-së u radhit i dyti, duke u shpërblyer me medalje të argjendtë në mesin e ekipeve nga 36 shtete të ndryshme të botës.
“Në 10-vjetorin e Samitit të Procesit të Berlinit, kryeministri theksoi që marrëdhëniet e mira fqinjësore janë kyçe për bashkëpunim e integrim rajonal. Ai e falënderoi ministrin e shtetit Doughty dhe emisarin Lord Peach për rolin e rëndësishëm dhe mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj republikës sonë”, përfundon komunikata.
Kurti pritet nga Scholz: Tani është momenti për ta bërë të suksesshëm Procesin e Berlinit
KosovaPress njofton se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pritur sot nga kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, në prag të nisjes së samitit të Procesit të Berlinit.
Në një postim në rrjetin social X, Kurti shkruan se në takim ai ka vlerësuar lart rolin që, sipas tij, ka luajtur Procesi i Berlinit për të sjellë më afër BE-në në vendet e Ballkanit e Perëndimor.
“10-vjetori i Procesit të Berlinit vendtakim e ka pikërisht kryeqendrën e Gjermanisë. Një dekadë vullnet, punë e angazhim për ta afruar rajonin tonë më shumë drejt BE-së. Berlini është vendi dhe tash është momenti për më shumë progres, e për ta bërë këtë samit jubilar të suksesshëm”, shkruan Kurti në rrjetin social X.
/KosovaPress/