Punonjësit në Portin Haifa në veri të Izraelit morën mesazhe në celular që kërcënonin të largohen para se të shënjestrohen.

Sipas të përditshmes izraelite ‘Maariv’, mesazhi informonte punonjësit se baza e të dhënave e Portit Haifa ishte hakuar dhe se porti do i nënshtrohej sulmeve me raketa.

“Ne ju japim një kohë të shkurtër për t’u larguar nga porti. Do të jetë një nga objektivat e raketave tona”, thuhej në mesazh.

Menaxhmenti i Portit Haifa konfirmoi mesazhet e dërguar te stafi, por theksoi se operacionet e portit janë normale në përputhje me direktivat e Frontit të Brendshëm të ushtrisë izraelite.

Në javët e fundit, sulmet me raketa dhe dronë nga Hezbollahu kanë shënjestruar zonën e qytetit Haifa, duke përfshirë portin, me disa raketa që shmangnin mbrojtjen ajrore të ushtrisë izraelite.

Më herët, ushtria izraelite pretendoi se kishte kapur pesë dronë të nisura nga Libani mbi Detin Mesdhe përpara se të hynin në hapësirën ajrore izraelite.

Izraeli ka zhvilluar një fushatë të madhe ajrore në Liban që nga 23 shtatori kundër atyre që Tel Avivi pretendon se janë objektiva të Hezbollahut, në një përshkallëzim të një viti të plotë lufte ndërkufitare midis Izraelit dhe grupit libanez që nga fillimi i ofensivës brutale të Izraelit në Gaza.

Pothuajse 2.500 njerëz janë vrarë që nga viti i kaluar dhe më shumë se 11.500 të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite.

Izraeli e zgjeroi konfliktin më 1 tetor të këtij viti duke nisur një sulm tokësor në Libanin jugor./aa