Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha shtroi për diskutim në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, të gjithë tezat dhe problematikat që sipas tij, preken nga ky projektligj.
“Konferenca e Rektorëve dhe UT nuk janë grupe interesi në këtë projekt, janë aktorë dhe ne funksionojmë në mënyrë institucionale duke komunikuar me institucionet përkatëse. Ne nuk kemi pasur vëmendje çfarë është shpallur nga komisioni, por nga pikëpamja institucionale ka qenë e detyrueshme që të viheshim në dijeni. Kjo gjë nuk ka ndodhur. Pasi u njohëm me projektin përfundimtar të qeverisë, konstatojmë se disa nga dispozitat e diskutuara në variantin e parë dhe të dytë nuk janë konsultuar dhe këto përkeqësojnë projektin në drejtim të lirisë së kërkimit dhe autonomisë universitare dhe kërkimit shkencor në tërësi,” tha ai.
Sipas Hoxhës, Konferenca e Rektorëve ka ndjekur me shumë interes të gjitha parimet e këtij projektligji në përputhje me Kushtetutën, me parimet e përgjithshme të mësimdhënies së kërkimit shkencor, direktivat e BE-së si edhe me vetë ligjin specifik për Arsimin e Lartë.
“Ajo që nuk duhet të ndodhë është fakti që në korpusin e normave juridike që rregullojnë çështje të njëjta apo të përafërta nuk duhet të ketë përplasje, që çojnë në krijimin e situatave që ndikojnë në zbatimin e tyre në jetë. Ligji për Arsimin e Lartë garanton shumë elementë, nga liria e kërkimit shkencor që nuk ka korniza, prandaj është i lirë! Dhe për këtë ka jurisprudencë europiane, ndërsa arena juridike kthehet në një kakofoni, që ligji të kuptohet ndryshe në situata të njëjta”, vijoi ai.
Rektori Hoxha theksoi se në çdo vend tjetër europian dhe botëror, Arsimi i Lartë i ka të tre këmbët e tij të sanksionuara, si për mësimdhënien, kërkimin shkencor dhe kontributin për zhvillimin e shoqërisë.
“Nuk ka qenë e lehtë, kemi pasur kritika dhe autokritika, por pas kaq vitesh aplikimi mund të themi se jo më shumë se 90% të kërkimit shkencor janë nga institucionet e Arsimit të Lartë. Janë mbi pesë mijë pedagogë dhe kërkues shkencorë që kontribuojnë për vendin, pa marrë në konsideratë veprimtarinë që zhvillojnë studentët. I gjithë ky potencial nënvlerësohet me ligjin e ri për shkencën. Duket sikur kërkohet shpëtimi në struktura të tjera, ndërkohë që ne e dimë ku është potenciali. Ne nuk jemi kundër projektligjit, por në situatën që është nuk është për të kaluar në seancë plenare”, shtoi Hoxha.
“Ka probleme të forta me Kushtetutën, lirinë e kërkimit shkencor dhe autonominë, përplasje me aktet ligjore në fuqi dhe në vetvete është një projekt deklarativ, pra nuk zgjidh asgjë. Nuk i realizon nevojat që ka shoqëria shqiptare dhe krijon një situatë që populli thotë, në vend të vesh vetullat, nxjerr sytë, se fillon interpretimet e normave, dhe aktet që dalin mbi bazën e tyre. Pra, që kanë perceptim ndryshe dhe në në vend që të bëjmë një rregullim për shkencën, do krijonim një anomali për shkencën, ose një ligj që vjen në kundërshtim me Kushtetutën”, përfundoi Hoxha./ata